Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar krijimin e një Task Forcë për Sigurinë Industriale dhe Shëndetin në Punë, e cila do të përfshijë edhe ekspertë të jashtëm të fushës.
Të lidhura
None found
Ky grup pune do të ketë për mision rishikimin e protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues të sigurisë në punë, me synim zbulimin e mangësive dhe propozimin e masave për përmirësimin e tyre.
Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i KEK-ut shprehën keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të punëtorëve të korporatës dhe paralajmëruan masa konkrete për forcimin e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të KEK-ut, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme, menaxhmenti e informoi bordin për rrethanat e përgjithshme të ngjarjes, ndërsa hetimet në vendin e ngjarjes po vazhdojnë nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës.
KEK-u bëri të ditur gjithashtu se vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës është kontraktuar gjatë këtij viti dhe aktualisht ndodhet në fazën e implementimit.
Bordi dhe menaxhmenti nënvizuan se siguria dhe shëndeti i punëtorëve do të mbeten prioritet absolut i korporatës.
Në komunikatën e KEK-ut theksohet: “Asnjë objektiv operacional apo i prodhimit nuk mund të jetë mbi sigurinë dhe jetën e punëtorëve”.
