Manchester United ka nisur të shqyrtojë mundësinë e transferimit të Alex Baldes, teksa kërkon të përforcojë krahun e majtë të mbrojtjes në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.
Sipas gazetarit të transferimeve, Fabrizio Romano, klubi anglez ka vendosur kontakte me përfaqësuesit e mbrojtësit të Barcelonës për të mësuar më shumë mbi situatën e tij dhe mundësinë e një largimi.
Të lidhura
None found
Për “Djajtë e Kuq”, krahu i majtë mbetet një nga pozicionet që kërkon ndërhyrje gjatë kësaj vere. Për këtë arsye, drejtuesit po vlerësojnë disa alternativa, mes të cilave edhe 22-vjeçarin e Barcelonës.
Balde aktualisht është i kënaqur në “Camp Nou” dhe synon të vijojë karrierën me klubin katalanas. Megjithatë, qëndrimi i tij mund të vihet në diskutim nëse Barcelona e njofton se nuk bën më pjesë në planet e skuadrës dhe duhet të kërkojë një ekip të ri.
I formuar në akademinë e Barcelonës, mbrojtësi ishte një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës gjatë sezonit të kaluar.
Ai regjistroi 42 paraqitje në të gjitha kompeticionet, ndërsa në 31 prej tyre e nisi ndeshjen si titullar.
Sezoni nuk kaloi pa vështirësi për Balden, i cili qëndroi jashtë fushave për rreth dy muaj për shkak të një dëmtimi në muskujt e pasmë të kofshës.
Manchester United po e ndjek nga afër situatën e tij. Kontakti me kampin e lojtarit përbën hapin e parë të klubit anglez për të kuptuar nëse ekziston mundësia që Balde të largohet nga Barcelona këtë verë.
