Bojan Makaric, një figurë e njohur e arbitrimit nga Bijeljina, përjetoi një agresion të rëndë fizik teksa drejtonte një ndeshje në një turne futsalli në Brezovo Polje.
Të lidhura
None found
Makariq, i cili këtë sezon bën pjesë në listën B të gjyqtarëve asistentë për kampionatin elitar të Bosnjë-Hercegovinës, ishte në fushë kur një lojtar u sul mbi të. Ende nuk është zbuluar se kush ishte autori i dhunës.
Ngjarja ka marrë një jehonë të gjerë, teksa një imazh tronditës i shpërndarë nga portali PravdaBL tregon pasojat e rënda të goditjes mbi trupin e arbitrit.
Rastin e ka verifikuar edhe Policia e Distriktit të Brçkos, e cila saktësoi se incidenti u denoncua më 18 gusht, rreth orës 23:07.
Sipas uniformave blu, në raportim thuhej se një futbollist kishte qëlluar gjyqtarin në kokë gjatë aktivitetit sportiv në Brezovo Polje dhe se ishte i domosdoshëm intervenimi i ekipit mjekësor të urgjencës.
Menjëherë pas sinjalizimit, efektivët mbërritën në vendngjarje dhe regjistruan të dhënat paraprake. Paralelisht, të njohurit e viktimës e transportuan atë drejt Bijeljinës për vizita të specializuara.
Në orën 00:10, autoritetet e Brçkos u vunë në dijeni nga kolegët e Bijeljinës se Makariq po merrte trajtim pranë urgjencës, për shkak të dëmtimeve të marra në fushë.
Personeli shëndetësor nuk arriti të vlerësonte menjëherë seriozitetin e traumave, duke qenë se u pa e nevojshme realizimi i një tomografie të kokës.
Policia shtoi se, pasi të grumbullohen të gjitha provat dhe informacionet në lidhje me ngjarjen, do të ndërmerren veprimet konkrete sipas parashikimeve ligjore.
Sulmi mbi Makariq ka tronditur mjedisin e futbollit në Bosnjë, sidomos për faktin se ai është një arbitër me eksperiencë, i cili prej shumë vitesh gjykon ndeshje në nivelet më të larta të kampionatit vendas.
