Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është drejtuar kryesuesit të seancës, Avni Dehari, me kërkesën që vazhdimi i saj të thirret nesër në orën 11:00.
Të lidhura
None found
Përmes shkresës dërguar kryesuesit të seancës konstituive, PDK-ja kërkon që punimet të vijojnë në pajtim me nenin 9 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Sipas këtij subjekti politik, fakti që Kuvendi nuk është konstituuar brenda afatit të caktuar ka shkaktuar tashmë një gjendje të rëndë në raport me zbatimin e Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo situatë rëndohet edhe më shumë nga mosrespektimi i afateve procedurale të parashikuara në Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në kërkesën e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës mbështetet gjithashtu në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, duke nënvizuar se Kuvendi duhet të konstituohet edhe pse afati kushtetues është tejkaluar.
“Tejkalimi i afatit nuk e eliminon detyrimin që Kuvendi të konstituohet”, theksohet në shkresë.
