Një operacion policor kundër fajdesë përfundoi të martën në Prizren me arrestimin e tre personave.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, e konfirmoi rastin për Klankosova.tv.
Të lidhura
None found
Policia e Kosovës bëri të ditur sot se aksioni u zhvillua nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, si dhe me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Në pamjet e publikuara sot nga policia shfaqet operacioni gjatë të cilit u arrestuan të dyshuarit B. S., F. S. dhe A. D. Të tre dyshohet se janë përfshirë në veprën penale “fajde”.
Për B. S., përveç dyshimeve për fajde, policia po ashtu ka ngritur dyshime për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “aksident trafiku me lëndime”.
Sipas njoftimit policor, teksa përpiqej t’i shmangej arrestimit, B. S. goditi me veturë një zyrtar policor dhe një qytetare, duke u shkaktuar lëndime.
Hetimet tregojnë se të dyshuarit ushtronin vazhdimisht presion mbi viktimën për të përfituar interes nga veprimtaria e fajdesë. Në këtë mënyrë, viktima ishte detyruar të ndërmerrte veprime në dëm të pasurisë së tij, ndërsa veprimet e kundërligjshme të të dyshuarve i kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në kuadër të aksionit u kontrolluan vendbanimet e të dyshuarve në 3 lokacione të ndryshme brenda komunës së Prizrenit. Aty u sekuestruan prova të ndryshme materiale, të cilat do të shfrytëzohen gjatë procedurës penale.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, ndaj tre të dyshuarve u caktua masa e ndalimit prej 48 orësh, njoftoi policia.
