Një ngjarje tragjike është regjistruar në West Sussex të Britanisë, ku tre persona kanë humbur jetën gjatë një incidenti në det, ndërsa një vajzë e re ndodhet në gjendje kritike. Sipas dëshmitarëve, gjithçka mund të ketë nisur pasi njëri prej fëmijëve është ngecur në një rrjetë peshkimi.
Të lidhura
None found
Katër persona u vunë re në vështirësi të mëdha në ujë ditën e djeshme, në një moment kur deti ishte i trazuar. Pas alarmit, në zonë mbërritën ambulanca, dy helikopterë dhe roja bregdetare.
Një burrë, një grua dhe një vajzë adoleshente nuk arritën të mbijetonin, pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit. Ndërkohë, vajza më e vogël u transportua në spital, ku vijon të jetë në gjendje kritike.
Të katër personat ishin pjesëtarë të së njëjtës familje, e cila, sipas raportimeve, kishte ngritur kamping pranë zonës ku ndodhi mbytja.
Një peshkatar thuhet se nxori nga deti njërin prej fëmijëve dhe më pas njoftoi autoritetet për situatën e rëndë.
Joe Crisp, 24 vjeç, tregoi se një peshkatar vendas i kishte thënë se në ujë ndodheshin “dy të rritur dhe dy fëmijë”.
“Njëri prej fëmijëve dukej se ishte kapur në një rrjetë peshkimi”, u shpreh ai.
Dëshmitarët dyshojnë se ngecja e fëmijës në rrjetë mund të ketë shkaktuar vargun e ngjarjeve që përfundoi në këtë tragjedi.
Policia ka hapur një hetim për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar me saktësi se si ndodhi ngjarja.
Banorët e zonës thanë se familja kishte qëndruar në kamping pranë portit gjatë javëve të fundit. Identitetet e tre viktimave ende nuk janë bërë publike.
