Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Korporata Energjetike e Kosovës do t’i shesë Maqedonisë së Veriut thëngjill me vlerë deri në 73,2 milionë euro përgjatë tre vjetëve.
Të lidhura
None found
Rizvanolli ka theksuar se marrëveshja e fundit shënon rastin e parë kur një kontratë e tillë është nënshkruar drejtpërdrejt mes dy ndërmarrjeve publike: KEK-ut dhe Elektranave të Maqedonisë së Veriut (ESM).
Sipas saj, vlera e përcaktuar prej 24,4 eurosh për ton, pa TVSH, paraqet një kusht dukshëm më të favorshëm për KEK-un sesa kontratat e mëparshme, të cilat realizoheshin përmes ndërmjetësuesve.
Ajo ka kujtuar se gjatë eksportit të fundit drejt Maqedonisë së Veriut, KEK-u kishte marrë vetëm tetë euro për ton thëngjill, shumë kjo që përfshinte tantiemën prej tri eurosh dhe tatimin mbi vlerën e shtuar prej 18 për qind.
Ministrja e ka cilësuar atë tender si të jashtëligjshëm.
Ndërkohë, Rizvanolli ka garantuar se marrëveshja e re nuk do të cenojë prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë.
“Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë nuk ndikohet në asnjë mënyrë nga kjo kontratë, duke qenë se ESM-ja është përgjegjëse për ekskavimin dhe transportin e thëngjillit që do ta blejë”, ka deklaruar ajo.
