Një person humbi jetën dhe 16 të tjerë u plagosën pasi një dron shpërtheu në një stacion autobusi pranë centralit bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Të lidhura
None found
IAEA bëri të ditur se mjeti ajror pa pilot (UAV) shpërtheu në stacionin e autobusit që shfrytëzohej nga personeli i centralit bërthamor.
Mes 16 të plagosurve ka punonjës dhe nënkontraktorë, ndërsa tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Incidenti u raportua në një deklaratë të publikuar në platformën X nga IAEA, organi i Kombeve të Bashkuara që mbikëqyr çështjet bërthamore, e cila iu referua drejtorit të centralit.

Drejtori e cilësoi ngjarjen si “incidentin më të keq që ka hasur ndonjëherë”.
Me gjashtë reaktorë, centrali bërthamor i Zaporizhias është më i madhi në Evropë. Objekti u pushtua nga forcat ruse gjatë javëve të para të pushtimit të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Prej asaj kohe, Moska dhe Kievi kanë fajësuar në mënyrë të përsëritur njëra-tjetrën për veprime që mund të vënë në rrezik sigurinë bërthamore të centralit.
