Të paktën tre persona që udhëtonin me një helikopter privat humbën jetën pasditen e së hënës, pasi mjeti u rrëzua në ishullin grek të Sifnos.
Të lidhura
None found
Forcat zjarrfikëse njoftuan se aksidenti ndodhi në zonën Tholos, në afërsi të madhe me helikodromin e ishullit. Pas përplasjes me tokën, helikopteri u përfshi menjëherë nga zjarri.
Tre trupat janë transportuar në qendrën shëndetësore të ishullit, sipas burimeve spitalore. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës po vazhdojnë kërkimet në vendin e ngjarjes për të përcaktuar nëse në bord ndodheshin edhe persona të tjerë.
Policia greke bëri të ditur se helikopteri ishte ngritur nga Markopulo, në Athinë. Përpara nisjes drejt Sifnos, ai kishte marrë si pasagjerë një çift britanik, ndërsa drejtohej nga një pilot me shtetësi greke.
Mjeti fluturues ishte i markës Bell. Të dhënat paraprake tregojnë se ai ishte një nga tre helikopterët e kësaj marke që kompania kishte në flotën e vet.
Pak përpara rrëzimit, dëshmitarë në zonë thanë se kishin vërejtur tym të dilte nga helikopteri. Kjo dëshmi ka krijuar dyshime për një problem të mundshëm teknik para aksidentit.
Autoritetet e Greqisë kanë hapur një hetim për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit. Në zonë po vijojnë njëkohësisht operacionet e kërkim-shpëtimit dhe kontrollet përfundimtare për konfirmimin e bilancit të viktimave.
