BDI-ja ka reaguar ndaj urimit të Ministrisë së Mbrojtjes me rastin e përvjetorit të Armatës së Maqedonisë së Veriut. Sipas kësaj partie, në rendin kushtetues termi “maqedonas” përcakton vetëm identitetin etnik të popullit maqedonas, kurse institucioni mban zyrtarisht emrin Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut. BDI-ja thekson se Armata është e të gjithë qytetarëve dhe bashkësive që përbëjnë shtetin.
Të lidhura
None found
Në reagim thuhet se Ministria, ndoshta pa qëllim, ka pasqyruar gjendjen që po krijohet nga vetë Qeveria. BDI-ja pretendon se shqiptarët janë mënjanuar vazhdimisht nga postet e larta dhe qendrat ku vendoset në sektorin e mbrojtjes. Nga dhjetë drejtorë në Ministrinë e Mbrojtjes, asnjëri nuk është shqiptar, ndërsa në nivelet vendimmarrëse përfaqësimi shqiptar, sipas partisë, është zvogëluar deri në përjashtim tërësor.
BDI-ja nënvizon se Armata financohet edhe përmes taksave të shqiptarëve, të cilët kanë shërbyer dhe vijojnë të shërbejnë me uniformën e saj. Po ashtu, familjet shqiptare ia kanë besuar këtij institucioni bijtë dhe bijat e tyre, ndaj askush, sipas reagimit, nuk mund ta kthejë atë në pronë simbolike e institucionale të një bashkësie të vetme.
Partia akuzon s’vlen-in se po hesht, ndërkohë që ministrat dhe zëvendësministrat e tij mbajnë kolltukët, kurse shqiptarët po humbin pozita në polici, ushtri dhe në tërë sistemin e sigurisë. Sipas BDI-së, roli i tyre është kufizuar në justifikimin e vendimeve të VMRO-së dhe hartimin e komunikatave kundër BDI-së. Për këtë arsye, kërkohet që emërtimi të korrigjohet menjëherë, të bëhet publike përbërja etnike e posteve drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të rikthehet përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në çdo nivel të vendimmarrjes.
Në fund, BDI-ja thekson se Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut është një institucion i përbashkët. Sipas saj, çdo tentativë për ta paraqitur apo organizuar si institucion monoetnik prek drejtpërdrejt natyrën multietnike të shtetit dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
