Ricardo Hausman, profesor në Harvard dhe ish-ministër i qeverisë së Venezuelës, është përballur me kritika të forta pasi u akuzua se përdori inteligjencën artificiale për të përgatitur një opinion të botuar në Financial Times, ku kundërshtoheshin tarifat e Donald Trump, raportoi New York Post.
Të lidhura
None found
Pas publikimit të shkrimit të enjten, gazeta vendosi në krye të tij një shënim sqarues. Në të thuhej se Financial Times ishte njoftuar që IA ishte përdorur për të përmbledhur një draft më të gjatë, përpara se materiali t’i dërgohej gazetës dhe t’i nënshtrohej procedurave të saj editoriale.
Sqarimi rikujtonte gjithashtu se rregullat etike të Financial Times nuk lejojnë përdorimin e inteligjencës artificiale gjatë procesit të shkrimit.
Debati u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, ku përdorues të shumtë vunë në dyshim stilin e opinionit dhe e përshkruan atë si një tekst të ngurtë, me cilësi të dobët dhe tipik për përmbajtjen e krijuar nga IA.
“Ky është përdorimi më i keq i inteligjencës artificiale që kam parë në një botim të madh”, shkroi një përdorues në X.
Një tjetër përdorues ndau rezultatet e analizës së kryer nga mjeti Pangram për zbulimin e IA-së. Sipas këtij vlerësimi, shkrimi me 841 fjalë dukej se ishte krijuar në masën 71% nga inteligjenca artificiale.
Rasti ka nxitur diskutime edhe në qarqet akademike, ndërsa universitetet dhe pedagogët po përpiqen të gjejnë mënyra për t’iu përgjigjur përdorimit gjithnjë e më të madh të mjeteve të IA-së nga studentët në hartimin e punimeve.
Michael Sokolow, profesor në Universitetin e Maine, tha se kjo ngjarje ua vështirëson pedagogëve përpjekjen për t’i nxitur studentët të shkruajnë me “bindje, kreativitet, personalitet dhe stil”.
Edhe persona që më herët kishin vlerësuar punën e Hausmann shprehën habi për atë që ndodhi.
Joe Wiesenthal nga Bloomberg deklaroi se kishte përfituar shumë nga Hausman dhe se i kishin pëlqyer bisedat me të. Ai e cilësoi rastin si “vërtet të mahnitshëm”, si për mënyrën e shkrimit, ashtu edhe për faktin që teksti ishte publikuar.
Hausman, 70 vjeç, i cili ka shërbyer si ministër në qeverinë e Venezuelës, nuk u ishte përgjigjur kërkesave për koment deri në momentin e publikimit të artikullit.
