Trupat hungareze të angazhuara në Batalionin e Rezervës Taktike të KFOR-it (KTRBN) zhvilluan një stërvitje taktike në afërsi të Obiliqit.
Të lidhura
None found
Aktiviteti u fokusua te luftimet në hapësira të afërta (CQB), brenda një terreni urban kompleks, dhe shënoi përfundimin e një programi intensiv trajnimi tre-mujor. Ky cikël kishte për qëllim përmirësimin e aftësive taktike, rritjen e gatishmërisë dhe forcimin e ndërveprueshmërisë.
Gjatë ushtrimit u përdorën automjete të blinduara dhe një helikopter H145M i KFOR-it. Në skenar u përfshinë edhe kapacitetet zvicerane kundër dronëve, si dhe njohuritë rumune për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese (EOD).
“Kjo mundësoi testimin e aftësisë së kompanisë së integruar për të planifikuar dhe zhvilluar operacione komplekse në një mjedis realist”, thuhet në njoftim.
Stërvitje të tilla u shërbejnë pjesëtarëve të KFOR-it për të mbajtur gatishmëri të lartë operacionale dhe për të forcuar ndërgjegjësimin mbi situatën. Përmes tyre, KFOR-i dëshmon angazhimin e vazhdueshëm për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës.
