Kroacia po përballet me zjarre shkatërruese që kanë sjellë vdekjen e një personi, plagosjen e dhjetëra të tjerëve dhe evakuimin e mijëra banorëve në orët e fundit.
Të lidhura
None found
Ekipet e shpëtimit zbuluan trupin e pajetë të një qytetari në rajonin e përfshirë nga zjarri, teksa më shumë se 40 persona janë dërguar me urgjencë në spital për shkak të djegieve dhe vështirësive në frymëmarrje.
Shtatë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, ndërsa deri tani janë zhvendosur mbi 1200 banorë nga dy zonat më të goditura, Lokva Rogoznica dhe Omis.
Ministria e Jashtme hungareze njoftoi se mes të evakuuarve bënte pjesë dhe një grup turistësh hungarezë, prej të cilëve katër pësuan lëndime dhe dy patën nevojë për hospitalizim.
Përballja me flakët e fuqishme në bregdetin kroat vijon me angazhimin e qindra zjarrfikësve dhe avionëve Canadair, në një kohë kur shërbimi meteorologjik i Bashkimit Evropian paralajmëron për përkeqësim të mëtejshëm të kushteve atmosferike.
Parashikimet tregojnë se vala e të nxehtit që ka kapluar Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe Britaninë Jugore, Irlandën, Francën Veriore dhe Suedinë Jugore, do të vijojë të paktën deri më 19 gusht.
