Sipas medias italiane, ajo që nisi si kundërshtim ndaj projekteve për ndërtimin e resorteve luksoze në zona të mbrojtura, është kthyer në një protestë me kërkesa të drejtpërdrejta politike.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Rama dhe ndryshime të thella në administratën shtetërore.
Të lidhura
None found
Në artikull thuhet se mijëra qytetarë, vijojnë të mblidhen në sheshet e Tiranës dhe më pas marshojnë drejt institucioneve qeveritare, ndërsa theksohet se për tre ditë më 14,15 dhe 16 gusht diaspora do të mbushe sheshet dhe rrugët e Tiranës.
Shkrimi i plotë:
Kanë kaluar tashmë pothuajse tre muaj që kur, rreth mesit të majit të kaluar, qytetarët e Shqipërisë nisën “revoltën e flamingove”, e cila filloi me kundërshtimin ndaj shitjes së lirë të tokave shqiptare dhe ndërtimit të resorteve luksoze në zonat e mbrojtura, por shumë shpejt u shndërrua në një mjet proteste kundër qeverisë dhe të gjithë klasës politike. Dhjetëra persona janë arrestuar për vepra të ndryshme penale, ndërsa policia po përpiqet të shtypë marshimet edhe me forcë. Përveç protestave në sheshe, aktivistët po veprojnë edhe në fronte të tjera: është nisur një mbledhje firmash për të kërkuar shfuqizimin e normës që lejon ndërtimin e resorteve dhe strukturave luksoze në zonat e mbrojtura.
Protestat në Shqipëri kanë arritur ditën e 75-të radhazi. Manifestimi, tashmë i kthyer në një ritual, nis në orët e vona të pasdites në sheshet qendrore të Tiranës, ku qytetarët mblidhen për të protestuar dhe më pas nisen në marshim drejt ndërtesave qeveritare, të cilat sot janë të mbyllura për shkak të pushimeve verore. Pavarësisht se kanë kaluar muaj nga fillimi i protestave, pjesëmarrja ka mbetur e qëndrueshme: mijëra qytetarë vazhdojnë të dalin në sheshet e kryeqytetit për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë Rama dhe një ristrukturim të thellë të aparatit shtetëror, të cilin e konsiderojnë të korruptuar. Kërkesat kryesore mbeten të njëjta: përveç dorëheqjes së qeverisë, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ligjit 21/2024 për zonat e mbrojtura, të ligjit 55/2015 për investimet strategjike dhe të ligjit 20/2025 për investimet në zonat malore, si dhe revokimin e të gjitha lejeve të dhëna mbi bazën e këtyre normave.
Lëvizja e flamingove është e larmishme, por e bashkuar. Në të marrin pjesë përfaqësues të realiteteve të ndryshme civile dhe fetare, të cilët tashmë kanë nisur të trajtojnë shumë aspekte të shoqërisë shqiptare që konsiderohen kritike. Në javët e fundit, një nga temat më të diskutuara ka qenë një nismë e re e qeverisë që synon të zvogëlojë numrin e bashkive përmes bashkimit të disa prej tyre. Sot, protesta e komunitetit të Divjakës kundër projektit për bashkimin e bashkive ka arritur ditën e 14-të. Protestave u ka dhënë shtysë edhe koncerti i fundit i këngëtarit Kanye West, për të cilin Ministria e Kulturës thuhet se ka akorduar 4.2 milionë euro: “E gjithë mbështetja për skenën e pavarur artistike të vendit arrin vetëm në 1.9 milionë euro”, kundërshtojnë aktivistët, duke kërkuar ndryshime rrënjësore brenda ministrisë.
Protestuesit nuk po veprojnë vetëm në sheshe, por edhe në planin institucional: Lëvizja për Diasporën Shqiptare, së bashku me 11 organizata të tjera të shoqërisë civile, i ka paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një pyetje referendare për të kërkuar shfuqizimin e ligjit 21/2024, i cili, sipas nismëtarëve, hap rrugën për spekulime në zonat e mbrojtura. E njëjta lëvizje ka njoftuar se, duke nisur nga nesër, do të rikthehet në sheshet e Shqipërisë, duke iu bashkuar bashkatdhetarëve të saj në vend: lëvizja e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të dalë në rrugët e Tiranës edhe më 15 dhe 16 gusht.
Protestat në Shqipëri nisën majin e kaluar. Fillimisht të drejtuara kundër projektit të pasurive të paluajtshme luksoze të kompanisë Affinity Partners të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, ato u shndërruan shpejt në një lëvizje më të gjerë antig qeveritare dhe më pas kundër të gjithë sistemit politik. Në disa raste, protestat janë shtypur me forcë dhe dhjetëra demonstrues janë arrestuar. Nuk dihet numri i saktë i personave të ndaluar në kuadër të protestave, por, sipas shoqatës Drejtësi Sociale dhe juristit Gentian Sejrani, përfaqësues i së njëjtës organizatë, disa prej personave të arrestuar dyshohet se janë dhunuar ndërsa ndodheshin në gjendje ndalimi.
