Nga protesta e zhvilluar përpara Kryeministrisë, aktori Mehdi Malkaj u bëri apel shqiptarëve të bashkohen, ndërsa dënoi përçarjet politike dhe krahinore në vend.
Sipas Malkajt, shqiptarët nuk duhet të kategorizohen si veriorë dhe jugorë, pasi i gjithë territori i Shqipërisë i përket të njëjtit atdhe. Ai tha se populli është katandisur, ndërsa kujtoi se në Veri përdoret fjala “atdhe” dhe në Jug “mëmëdhe”. “Kemi nënë dhe babë dhe prapë jemi jetimë”, deklaroi aktori.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij, Malkaj kritikoi edhe personat që nuk u bashkohen protestave, por qëndrojnë në shtëpi dhe shprehin mendime prej andej. Ai i pyeti se ku ndodheshin, i quajti “palo njerëz” dhe vuri në diskutim nëse mund të konsiderohet intelektual dikush që rri këmbë mbi këmbë në shtëpi dhe jep mendime.
Aktori kërkoi bashkimin e shqiptarëve në të gjithë vendin, nga Konispoli deri në Tropojë. Ai theksoi se nuk ekziston ndarja Veri-Jug dhe e cilësoi atë si një politikë të shpifur, që synon t’i përçajë qytetarët.
Malkaj përshëndeti gjithashtu miqtë e tij të vjetër nga Aleanca për Teatrin, për të cilët tha se kanë marrë pjesë në protesta që prej ditës së parë.
Në përfundim, ai iu drejtua të rinjve dhe të rejave, duke thënë se Shqipëria u ka mbetur në këtë gjendje. Më pas sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, të cilin e quajti “qelbësirë” dhe tha se fillimisht duhet t’i tregohet vendi. Malkaj e cilësoi Ramën si kryearmikun e Shqipërisë, duke deklaruar se vendi nuk ka parë një armik më të madh se ai.
