Rezultatet e deritanishme të kontrolleve të kryera nga Qendra për Shëndet Publik, laboratori i Stacionit filtrues dhe Instituti për Shëndet Publik dëshmojnë se uji nga ujësjellësi i Kumanovës është i sigurt për pije. Këtë e bëri të ditur Toni Jonçevski, udhëheqës i Stacionit filtrues Kumanovë.
Të lidhura
None found
Sipas tij, cilësia e ujit në Kumanovë mbikëqyret në 11 pika matëse, përfshirë edhe Stacionin filtrues. Krahas kontrolleve të rregullta, çdo tre muaj realizohen edhe analiza periodike të zgjeruara.
“Uji në Kumanovë kontrollohet nga 11 vende matëse, mes të cilave është edhe Stacioni filtrues, ndërsa bëhet edhe analiza periodike, të zgjeruara në çdo tre muaj. Uji nga sistemi ujësjellës në Kumanovë është i sigurt për shfrytëzim sipas rezultateve të deritanishme. Analizat merren edhe nga Qendra pëlr shëndet publik, nga laboratoria e jonë dhe nga Instituti për shëndet publik. Të gjitha analizat deri tani tregojnë se uji është i sigurt për pije”, deklaron Jovçevski.
Jovçevski sqaroi gjithashtu funksionin e klorit rezidual, i cili hidhet në ujë pasi përfundon procesi i pastrimit. Ky klor shërben si masë shtesë sigurie brenda rrjetit të furnizimit.
“Klori rezidual është klori që i shtohet ujit pas pastrimit dhe në fakt është mbrojtësi i ujit të pijshëm, domethënë shërben si mbrojtje kundër ndotjes së mundshme sekondare dhe për shkatërrimin e mikroorganizmave që mund të jenë të pranishëm në ujë”, shprehet Jovçevski.
Sa i përket furnizimit gjatë temperaturave të larta të verës, deri tani nuk janë regjistruar defekte apo ndërprerje të mëdha. Rezervuarët kanë qenë të mbushur këtë vit, ndërsa “Ekonomia e ujërave” siguron rregullisht sasi shtesë përmes bajpasit. Në përdorim janë edhe sasitë që vijnë nga “Mitev Most” dhe “Bedinje”.
“Duke marrë parasysh që rezervuarët ishin plot këtë vit, ‘Ekonomia e ujërave’ lëshon rregullisht sasi shtesë uji përmes bajpasit, ndërsa përdoren edhe sasitë nga ‘Mitev Most’ dhe ‘Bedinje’. Deri tani, nuk kemi vërejtur ndonjë ndërprerje të madhe të furnizimit me ujë”, thotë Jovçevski.
Pavarësisht furnizimit të qëndrueshëm, në mbrëmje dhe veçanërisht gjatë intervaleve kur kërkesa rritet, pjesët më të larta të Kumanovës mund të përballen me rënie të presionit. Jovçevski e lidh këtë situatë me përdorimin joracional në zonat e poshtme të qytetit, ku tërhiqen sasi të mëdha uji dhe, si rrjedhojë, dobësohet presioni në zonat më të larta.
“Ekonomia e Ujërave” u bën thirrje qytetarëve që ta përdorin me kujdes dhe në mënyrë racionale ujin e rrjetit, sidomos në periudhat me konsum të shtuar. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e presionit të qëndrueshëm dhe në garantimin e furnizimit pa pengesa për të gjithë shfrytëzuesit.
