Nëna e 20-vjeçarit Joan Zuko, Ornela Zuko, ka bërë të ditur datën dhe orën e ceremonisë së lamtumirës së fundit për të birin, i cili u vra pasditen e 8 gushtit në Korçë, nga miku i tij, Kristjan Sterjo.
Përmes një mesazhi prekës, ajo shprehet se familja ka vendosur që lamtumira e fundit për Joanin të bëhet më 11 gusht, në orën 12:00.
Të lidhura
None found
Nëna e 20-vjeçarit i ka kushtuar të birit edhe disa fjalë të ndjera, duke e cilësuar si dashurinë e saj më të madhe dhe pjesën më të shtrenjtë të zemrës.
“Me zemrën e copëtuar dhe me dhimbjen më të madhe që mund të mbajë shpirti i një nëne, ne pamundësi për t ju përgjigjur te gjithëve ju njoftojmë se më 11 gusht, në orën 12:00, do t’i japim lamtumirën e fundit birit tim të vogël, dritës së syve të mamit.
Biri im, ti do të mbetesh përjetësisht fryma ime, dashuria ime më e madhe dhe pjesa më e shtrenjtë e zemrës sime. Mami nuk do të të harrojë kurrë dhe do të të mbajë brenda shpirtit deri në frymën e fundit. U prehsh në paqe, engjëlli i mamit”, shkruan Ornela Zuko.

DINAMIKA E NGJARJES
Kujtojmë se 20-vjeçari Joan Zuko u vra me armë zjarri në Korçë pas një konflikti nga Kristjan Sterjo, i cili u arrestua pas disa orësh kërkimesh nga Policia dhe forcat RENEA.
Pas arrestimit Kristjan Sterjo ka dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetimor lidhur me motivin e ngjarjes së rëndë. I riu ka zbuluar se konflikti mes tyre lidhej me disa episode të mëparshme, ndërsa një nga shkaqet që dyshohet se ka çuar në përshkallëzimin e situatës ka qenë ngacmimi i të dashurës së autorit të dyshuar.
Por, krahas këtij konflikti, hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve, të cilët dyshohet se kishin pasur debate për shkak të pretendimeve se kush ishte “më i forti” i lagjes.
Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimi, autori i dyshuar dhe viktima ishin konfliktuar verbalisht disa ditë përpara ngjarjes. Dyshohet se të dy palët kishin pasur përplasje dhe ngacmime ndaj njëri-tjetrit, duke bërë që marrëdhënia mes tyre të përshkallëzohej.

Vendi ku u vra 20-vjeçari
Situata më pas do të merrte një tjetër përmasë. Sipas dëshmisë së autorit, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 20-vjeçarit, ndërsa e ka qëlluar me një plumb pas shpine, që rezultoi fatal për jetën e Joan Zukos.
Konflikti, i cili dyshohet se kishte nisur për motive të dobëta, duke filluar nga pretendimet se kush konsiderohej “i forti” i lagjes, më pas është shoqëruar me ngacmime, sharje dhe përplasje të vazhdueshme mes dy të rinjve.
Përplasja përfundoi tragjikisht me vrasjen e 20-vjeçarit Joan Zuko, ndërsa Kristjan Sterjo u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua rreth 6 orë më vonë nga forcat e policisë në afërsi të banesës së tij.
Sterjo fshihej në një zonë në afërsi të varrezave të qytetit, por është larguar prej aty për tu afruar drejt banesës. Ka qenë ky moment që policia e ka pikasur dhe është ndërhyrë menjëherë për kapjen e tij.
Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, ndërsa dëshmia e autorit të dyshuar dhe provat e mbledhura pritet të ndihmojnë në përcaktimin e rrethanave dhe motivit të saktë që çoi në krimin e rëndë.
