Aktakuza ndaj Milan Radoiçiqit për krime lufte kundër 20 personave në Gjakovë ka rikthyer debatin jo vetëm për të kaluarën e tij, por edhe për marrëdhëniet që ai ka pasur me institucionet dhe aktorët politikë në Kosovë.
Të lidhura
None found
Edhe pse akuzohet për krime të rënda dhe njihej për rolin e tij në strukturat e Listës Serbe, Radoiçiq për një periudhë të gjatë konsiderohej një prej figurave me ndikim në zhvillimet politike në veri dhe në raportet ndërmjet partive kosovare dhe përfaqësuesve serbë.
Qeveritë e udhëhequra nga PDK, LDK dhe AAK kanë bashkëpunuar në të kaluarën me Listën Serbe, në kohën kur Radoiçiq shihej si një prej njerëzve më të fuqishëm të këtij subjekti. Kjo ka hapur pikëpyetje mbi pasojat që një bashkëpunim i tillë mund të ketë pasur për sigurinë institucionale dhe kombëtare të Kosovës.
Një tjetër çështje që mbetet për t’u sqaruar është nëse rrjetet dhe ndikimi i krijuar nga Radoiçiq vazhdojnë të përbëjnë rrezik për Kosovën, edhe pas tërheqjes së tij nga skena publike politike.
Pyetja që shtrohet është nëse Kosova është ekspozuar ndaj një rreziku të sigurisë për shkak të bashkëpunimit politik me një person që tash përballet me akuza për krime lufte.
Ish-luftëtari kërkon hetim të plotë për të gjithë personat e dyshuar për krime lufte dhe zbardhjen e çdo bashkëpunimi eventual politik me Milan Radoiçiqin

Saim Tahiraj e ka cilësuar si të mirëpritur ngritjen e aktakuzës ndaj Milan Radoiçiqit, por ka kërkuar që procesi i drejtësisë të mos përfundojë vetëm me hetimin e një personi.
“Për një njeri të dyshuar për krime të rënda ndaj shqiptarëve, vendi duhet të jetë para drejtësisë dhe, nëse fajësia vërtetohet, dënimi duhet të jetë i merituar”, ka deklaruar Tahiraj për “Bota sot”.
Sipas tij, hetimi duhet të përfshijë edhe çdo person tjetër që mund të ketë kryer apo mbështetur krime ndaj shqiptarëve dhe përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te Radoiçiqi.
“Drejtësia nuk duhet të ndalet vetëm te Radojçiqi. Të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj popullit shqiptar duhet të përballen me drejtësinë, pavarësisht se ku janë, çfarë funksioni kanë pasur apo kë kanë pasur pas vetes”, është shprehur ai.
Tahiraj kërkon gjithashtu që hetimet të përfshijnë strukturat që mund të kenë qenë pas krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ai thekson se, nëse gjykatat dhe organet hetimore vërtetojnë përfshirjen ose mbështetjen e strukturave shtetërore serbe, edhe kjo përgjegjësi duhet të ndiqet pa kompromis.
“Nëse hetimet dhe gjykatat vërtetojnë përfshirjen apo mbështetjen e strukturave shtetërore serbe në krimet e kryera në Kosovë, atëherë edhe kjo përgjegjësi duhet të trajtohet në mënyrë të plotë dhe pa asnjë kompromis”, ka thënë Tahiraj.
Duke iu referuar lidhjeve të mundshme ndërmjet politikës kosovare dhe personave të dyshuar për krime lufte, ai kërkon që çdo bashkëpunim eventual të hetohet dhe askush të mos mbrohet nga politika.
“Nëse gjatë hetimeve dalin prova se ndonjë politikan, cilitdo subjekt politik qoftë, ka bashkëpunuar me Radojçiqin apo me struktura të lidhura me të, atëherë nuk duhet të ketë mburojë politike. Kushdo qoftë ai apo ajo duhet të japë llogari para drejtësisë”, është shprehur ai.
Tahiraj vlerëson se për krimet e luftës dhe përgjegjësinë ndaj viktimave nuk mund të zbatohen standarde të ndryshme.
“Nuk mund të ketë standard të dyfishtë: njëra anë të flasim për viktimat e luftës dhe sakrificën e popullit shqiptar, ndërsa në anën tjetër të mbyllim sytë para bashkëpunimeve eventuale me njerëz të dyshuar për krime ndaj këtij populli”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, nëse vërtetohet se pushteti është përdorur në mënyrë të paligjshme për bashkëpunim me persona të dyshuar për krime lufte, një veprim i tillë do të përbënte shkelje të rëndë të besimit të qytetarëve.
“Prandaj, le t’i lëmë hetimet dhe drejtësinë të flasin me prova. Nuk duhet të dënohet askush vetëm mbi bazën e akuzave politike, por nuk duhet të mbrohet askush kur drejtësia sjell prova dhe vendime të formës së prerë”, ka thënë Tahiraj.
Ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të nxjerrë në dritë çdo lidhje, bashkëpunim dhe përgjegjësi të mundshme.
“Pres që ky proces të zbardhë të gjitha lidhjet, bashkëpunimet dhe përgjegjësitë eventuale. Krimet e luftës nuk kanë afat politik. Viktimat kërkojnë drejtësi dhe drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë”, ka përfunduar Tahiraj.

Bexheti thotë se ndikimi i Radoiçiqit në politikën e Kosovës nuk duhet të trajtohet thjesht si një çështje e së kaluarës
Nexhat Bexheti e ka cilësuar aktakuzën ndaj Milan Radoiçiqit si një veprim të vonuar të drejtësisë. Ai pretendon se ndaj Radoiçiqit kishte pasur akuza edhe vite më parë, por ato, sipas tij, nuk ishin proceduar.
“Aktakuza ndaj Radoiçiqit është e vonuar, pasi akuza kundër tij ka pasur edhe disa vite më herët, por nuk janë proceduar. Unë aludoj se pushteti i Qeverisë Haradinaj i ka futur nën tepih”, ka deklaruar Bexheti për “Bota sot”.
Bexheti thotë se mosveprimi i institucioneve i kishte krijuar Radoiçiqit mundësinë të vepronte me ndjenjën se ishte i paprekshëm dhe të ushtronte ndikim të konsiderueshëm në veriun e Kosovës.
“Me këtë veprim, Radoiçiqit i është mundësuar që të sillet në mënyrë indolente dhe duke i injoruar ligjet e Kosovës, ashtu që ai ndihej si ‘baba’ i qytetarëve serbë të Kosovës veriore”, është shprehur ai.
Ai ka përmendur edhe deklaratat e ish-deputetes serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, e cila në të kaluarën ka folur për ndikimin që Radoiçiq, sipas saj, kishte mbi strukturat politike dhe institucionale serbe në veri të Kosovës.
“Edhe një pjesë e politikanëve serbë nuk kanë qenë të kënaqur me Radojçiqin, sepse kanë qenë nën presionin e tij politik. Rada Trajkoviq ka deklaruar se ish-kryetarët e qyteteve serbe në Kosovë i ishin ankuar asaj se Radoiçiqi ishte ai që merrte të gjitha vendimet”, ka thënë Bexheti.
Sipas pretendimeve që Bexheti i atribuoi Trajkoviqit, Radoiçiq kishte përdorur një zyrë jozyrtare në një restorant në Mitrovicën e Veriut, nga ku jepte urdhra dhe ndikonte në përzgjedhjen e ministrave serbë, drejtuesve të policisë dhe gjyqtarëve serbë në Kosovë.
“Trajkoviq kishte deklaruar se Radoiçiqi zgjidhte emrat e ministrave të ardhshëm serbë në Kosovë, shefat e policisë në veri dhe gjyqtarët serbë. Këto janë deklarime që tregojnë se ndikimi i tij politik nuk ishte i vogël”, ka deklaruar Bexheti.
Ai ka theksuar se marrëdhëniet e Radoiçiqit me politikanët kosovarë nuk lidhen vetëm me Ramush Haradinajn. Sipas Bexhetit, ai kishte pasur kontakte edhe me ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, veçanërisht në fushën e biznesit.
“Përveç marrëdhënieve me njerëz të pushtetit, Radojçiqi ka pasur marrëdhënie edhe me ish-presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli. Bashkëpunimi, sipas të dhënave që janë publikuar, është zhvilluar edhe në sferën afariste”, ka thënë ai.
Bexheti i është referuar një fotografie të publikuar nga KRIK në tetor të vitit 2019, ku shfaqeshin Behgjet Pacolli, Milan Radoiçiq, Goran Rakiq dhe persona të tjerë. Sipas tij, fotografia lidhej me një takim të mbajtur në vitin 2017, në periudhën kur AKR ishte pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga Ramush Haradinaj.
“Në tetor të vitit 2019, KRIK kishte publikuar një fotografi ku shihej Behgjet Pacolli në takim me Milan Radoiçiqin, Goran Rakiqin dhe të tjerë. Takimi, sipas KRIK-ut, kishte ndodhur në verën e vitit 2017”, ka deklaruar Bexheti.
Sipas tij, këto të dhëna duhet t’u shërbejnë institucioneve si bazë për një hetim më të gjerë mbi ndikimin që Radoiçiq dhe personat e lidhur me të mund të kenë ushtruar në politikën dhe institucionet e Kosovës.
“Pasqyrime të tilla na japin një fotografi të qartë se Radoiçiq mund të ketë ende ndikim në Kosovë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij ndoshta akoma janë aktivë në përkeqësimin e situatës politike. Efektet negative të kësaj mund të shihen edhe sot”, është shprehur Bexheti.
Bexheti e sheh rrezikun si ende të pranishëm dhe kërkon që institucionet e sigurisë të angazhohen më fuqishëm.
“Rreziku është evident. Policia e Kosovës duhet të gjurmojë dhe të zbulojë personat të cilët fshehurazi veprojnë në dëm të qytetarëve kosovarë”, ka thënë Bexheti.
Në përfundim, ai ka kërkuar që hetimet të përfshijnë edhe personat që kanë bashkëpunuar me Radoiçiqin, duke e përmendur në këtë kuadër edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
“Roli i dëmshëm që Radoiçiqi ka pasur duhet të jetë pikënisje për hetimin edhe të personave që kanë bashkëpunuar me të. Nëse ka prova për bashkëpunim të kundërligjshëm, ato duhet të hetohen për të zbuluar edhe bashkëpunëtorët e tjerë që mund të veprojnë fshehurazi për ta dëmtuar Kosovën dhe për ta komprometuar atë në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Bexheti.
