Interesimi i Galatasarayit për Gabriel Martinellin ka sjellë kontakte me Arsenalin, por sipas “Football London”, klubi londinez nuk pranon ta shesë brazilianin përpara se të gjejë një zëvendësues.
Të lidhura
None found
25-vjeçari mbetet në planet e Mikel Artetës, ndërkohë që “Topçinjtë” po synojnë të afrojnë një tjetër futbollist të nivelit të lartë për krahun e majtë të repartit ofensiv.
Arsenali ka përforcuar së fundmi skuadrën me anësorin Christos Tzolis, i cili gjatë ndeshjeve parasezonale të kësaj vere është aktivizuar rregullisht në krahun e majtë.
Martinelli ndihet mirë në Londrën e Veriut dhe nuk ka paraqitur kërkesë për t’u larguar. Megjithatë, transferimet e mundshme mund t’ia kufizojnë minutazhin dhe ta orientojnë drejt largimit në fund të afatit kalimtar.
Mundësinë e ndryshimeve të tjera në ekip Arteta e konfirmoi pas triumfit 4-1 në ndeshjen miqësore kundër Gironas.
Trajneri i Arsenalit deklaroi se, pa asnjë dyshim, pret lëvizje gjatë javëve të ardhshme.
Spanjolli bëri të qartë gjithashtu se klubi nuk ka ndërmend të mbetet pasiv në merkato, pasi objektivi është vijimi i përforcimit të skuadrës.
Ai shtoi se Arsenali nuk do të qëndrojë duarkryq dhe se klubi ka ambicie të mëdha për punën që po kryen.
Qëndrimi i Arsenalit në këtë fazë mbetet i prerë: largimi i Martinellit mund të miratohet vetëm pasi të jetë siguruar një pasues i denjë për brazilianin.
