Daniel Kinahan, 49 vjeç, i konsideruar si një nga drejtuesit e dyshuar të një rrjeti të fuqishëm kriminal ndërkombëtar, është sjellë nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Irlandë për t’u përballur me drejtësinë.
Të lidhura
None found
Nën masa të rrepta sigurie, avioni i qeverisë irlandeze që transportonte Kinahan u ul në Casement Aerodrome, në Baldonnell, në jugperëndim të Dublinit.
Arrestimi i tij në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte kryer në prill. Përpara ekstradimit, Shërbimi irlandez i burgjeve kishte siguruar një automjet të blinduar dhe rezistent ndaj shpërthimeve për transferimin e tij. Gjithashtu, është raportuar se siguria në burgun e sigurisë së lartë Portlaoise është përforcuar.
Masat e jashtëzakonshme të ndërmarra nga autoritetet irlandeze për transportimin e Kinahan lidhen me profilin e lartë të çështjes dhe me rreziqet e mundshme për sigurinë.
Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar deklaron se karteli Kinahan është përfshirë prej më shumë se dy dekadash në trafikimin ndërkombëtar të sasive të mëdha të drogës dhe armëve.
Në orët e ardhshme pritet që Kinahan të akuzohet zyrtarisht, përpara se të dalë para Gjykatës Speciale Penale të Irlandës. Kjo gjykatë, e përbërë nga tre gjyqtarë, shqyrton çështje të rënda kriminale dhe raste që lidhen me krimin e organizuar.
Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, ka përshëndetur bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve irlandeze dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe në përballjen me krimin e organizuar ndërkombëtar.
Megjithatë, Martin nuk ka komentuar drejtpërdrejt për rastin, duke sqaruar se nuk dëshiron të ndikojë në procesin e drejtësisë. Ai ka nënvizuar se policia irlandeze duhet vlerësuar për punën e vazhdueshme në luftën kundër krimit të organizuar.
Avokati i Kinahan i ka hedhur poshtë më herët pretendimet se klienti i tij drejton një organizatë kriminale. Përgjegjësia e tij lidhur me akuzat që mund të ngrihen do të vendoset gjatë procesit gjyqësor.
