Pesë turistë suedezë u nxorën të sigurt në breg këtë të diel, pasi gjatë një lundrimi në ujërat e Ksamilit u përballën me rrezikun e mbytjes.
Grupi kishte marrë me qira një mjet lundrues tip pedalon, i cili pësoi vështirësi në det dhe nuk mundi të vijonte lëvizjen normalisht. Për pasojë, pesë personat në bord kërkuan ndihmë.
Të lidhura
None found
Situata u konstatua nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare gjatë patrullimit në hapësirën detare të Ksamilit. Efektivët reaguan menjëherë, u dhanë ndihmën e nevojshme turistëve, tërhoqën pedalonin dhe e shoqëruan drejt bregut.
Të gjithë turistët u nxorën në tokë pa probleme dhe rezultojnë në gjendje të mirë shëndetësore, pa pësuar lëndime.
Pas ndërhyrjes, turistët suedezë shprehën mirënjohjen e tyre ndaj punonjësve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e ofruar.
Policia deklaron se strukturat kufitare dhe Njësia Policore Detare do të vijojnë angazhimin për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare, veçanërisht përgjatë sezonit turistik.
