Pas një nate të kaluar mes ankthit dhe përpjekjeve kundër zjarreve, banorët e zonave të rrezikuara në Krujë u kthyen mëngjesin e sotëm pranë shtëpive të tyre.
Aulon Kalaja publikoi në rrjetet sociale një video nga terreni, ku ndodhej pranë banorëve dhe vëzhgonte nga afër gjendjen e krijuar, si edhe dëmet e lëna nga flakët.
Të lidhura
None found
Ai shkoi te një nga banesat që ishte rrezikuar drejtpërdrejt nga zjarri. Sipas banorëve, ndërhyrja e zjarrfikësve bëri të mundur që shtëpia të mos përfshihej nga flakët.
Kalaja shpjegoi se forcat zjarrfikëse kishin hyrë brenda banesës për të vënë nën kontroll flakët dhe për të penguar zgjerimin e zjarrit. Shpëtimi i shtëpive solli lehtësim dhe gëzim te banorët.
Duke përshkruar situatën, Aulon Kalaja, tha se në ato momente banorët po riktheheshin në shtëpitë e tyre, pasi kishin qëndruar gjatë gjithë natës duke luftuar dhe ndjekur flakët. Më pas, ai u nis për të parë edhe pjesën tjetër të zonës.
Një prej banorëve, ende i tronditur, u shpreh: “Lëre aman se jemi…”.
Kalaja tregoi se do të kontrollonin gjendjen e shtëpisë, ndërsa një banor sqaroi se ajo ishte banesa e fqinjës së tyre, Romelës.
Banorët konfirmuan se shtëpia kishte shpëtuar, duke thënë me lehtësim: “E shpëtuar, shyqyr Zotit!”
Pasi mbërriti pranë saj, Kalaja tregoi pjesën e pasme dhe tha se pikërisht për atë banesë ishte luftuar. Ai vuri në dukje derën e hapur, nga ku kishin hyrë zjarrfikësit për të shuar flakët dhe për ta shpëtuar shtëpinë. Më pas pyeti edhe për gjendjen e arës.
Banorët u përgjigjën se situata ishte shumë e mirë dhe falënderuan Zotin që shtëpitë ishin shpëtuar. Të pyetur nga Kalaja nëse ishin të lumtur, ata e shprehën hapur gëzimin e tyre.
Në vijim, Kalaja drejtoi vëmendjen nga pjesa tjetër e malit, ku më sipër kishte ende një farë flake, ndonëse ajo nuk dallohej nga vendi ku ndodheshin. Ai raportoi se zona ishte e mbuluar nga tymi dhe se ndihej një aromë e rëndë.
Kalaja bëri të ditur se ora ishte 6 pa 20 e mëngjesit dhe se ndodheshin në Krujë. Sipas tij, ajo ishte shtëpia për të cilën ishte zhvilluar beteja kryesore me flakët, por në rrezik kishin qenë edhe dy-tre banesa të tjera.
Megjithatë, kjo shtëpi kishte përbërë pikën kryesore të rrezikut.
