Më shumë se 20 mijë qytetarë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre në pjesën perëndimore të Kanadasë, teksa një zjarr i fuqishëm përparoi me shpejtësi drejt zonave të populluara pranë Liqenit Okanagan, në provincën British Columbia.
Të lidhura
None found
Autoritetet kanë lëshuar urdhër evakuimi për të gjithë komunitetin e Summerland, i cili numëron afërsisht 12 mijë banorë. Një masë e ngjashme është marrë edhe për rreth 8 mijë persona që jetojnë në Peachland dhe në rrethinat e tij, ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur shifra e saktë e ndërtesave të dëmtuara.
Vatra e pagëzuar “Bald Range” u sinjalizua fillimisht në orët e vona të së premtes, por në harkun e disa orëve arriti të mbulonte një hapësirë rreth 50 kilometra katrorë. Zjarri përpiu edhe vendbanimin e vogël Faulder dhe avancoi pothuajse 15 kilometra në drejtim të Summerland.
Sipas ekipeve të emergjencës, bëhet fjalë për një nga zjarret me rritjen dhe shtrirjen më të vrullshme që është regjistruar ndonjëherë në këtë rajon.
Vetë koordinatori i emergjencave, Erick Thompson, iu desh të linte qendrën operative dhe të evakuonte familjen, pasi flakët po i afroheshin me shpejtësi lagjeve të banuara.
Në platformat sociale qarkullojnë video dhe fotografi ku duken qartë banesa të kapluara nga zjarri dhe kolona automjetesh që largohen nëpër rrugë të mbuluara nga re të dendura tymi.
Mes atyre që u evakuuan ishin edhe Kerry Gold dhe bashkëshorti i saj, Mike Elsinga. Dyshja u nis nga shtëpia rreth orës 00:30, kur vunë re flakët që zbrisnin me furi nga malet përreth. “Të tmerron. Po ecën shumë shpejt,” rrëfeu Gold, e cila së bashku me të shoqin ishte kujdesur të merrte edhe kafshën shtëpiake.
Gjatë viteve të fundit, Kanadaja është përballur me stinë zjarresh gjithnjë e më agresive, të cilat kanë sjellë evakuime në shkallë të gjerë dhe kanë mbuluar me tym rajone të tëra si në Kanada, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse vazhdojnë punën për të vënë nën kontroll situatën dhe banorëve të zonave të rrezikuara u kërkohet të qëndrojnë larg vijës së zjarrit.
