Kryeministri Edi Rama ka folur për zjarrin e përmasave të mëdha që përfshiu malin e Krujës, duke shprehur vlerësim për angazhimin e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore.
Sipas Ramës, operacioni për vënien nën kontroll të flakëve u mbyll pa banorë të lënduar dhe vetëm me një magazinë të djegur. Ndërhyrja u vështirësua nga era e fortë, ndërsa gjatë natës ishte i pamundur përdorimi i mjeteve zjarrshuajtëse nga ajri.
Të lidhura
None found
Kreu i qeverisë deklaroi se profesionalizmi dhe heroizmi i trupave në terren penguan një bilanc që mund të ishte tragjik, siç po ndodh fatkeqësisht në vende të tjera të Europës gjatë kësaj vere përvëluese.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama e cilësoi përballjen me zjarrin në malin e Krujës si një betejë të jashtëzakonshme. Ai theksoi se mbrëmjen e kaluar, në orët tejet të vështira, banorët e Krujës panë se nuk ishin vetëm, gjë që, sipas tij, dëshmohet edhe nga një prej disa mesazheve që i mbërritën gjatë natës.
“Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve”, shkroi Rama, duke iu referuar angazhimit të tyre gjatë këtij gushti sfidues.
