Ministrat Ermal Nufi dhe Besfort Lamallari kanë shkuar në Krujë për të monitoruar nga afër situatën e krijuar prej pasdites nga zjarri në zonën e Abazës.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, dyshohet se flakët janë shkaktuar nga dora e njeriut. Ai njoftoi se operacioni për shuarjen e zjarrit po kryhet në mënyrë të koordinuar, me ndërhyrje nga toka dhe mbështetje ajrore.
Të lidhura
None found
Nufi bëri të ditur se në zonën e Abazës ndodhet së bashku me ministrin Besfort Lamallari, drejtorin e AKMC-së dhe drejtorin e Përgjithshëm të Zjarrfikësve, për të ndjekur zhvillimet në terren.
Prej pasdites, në operacion janë angazhuar intensivisht strukturat operacionale vendore, ndërsa nga ajri po ndërhyjnë 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Ministri shprehu respekt dhe mirënjohje për pilotët e Forcës Ajrore, si edhe për efektivët e MZSH-së së Krujës, Kamzës, Tiranës dhe Vorës, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të izoluar vatrën dhe për të mbrojtur banesat e rrezikuara.
Ai sqaroi se terreni i thepisur e bën të vështirë ndërhyrjen tokësore, ndaj operacioni po vijon njëkohësisht nga toka dhe ajri, me objektivin që zjarri të vihet nën kontroll sa më shpejt.
