Cristian Romero raportohet se nuk do ta kundërshtonte një transferim nga Tottenhami te Arsenali gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.
Të lidhura
None found
Mbrojtësi argjentinas 28-vjeçar pritet të largohet nga “Spurs” në fund të sezonit dhe, sipas raportimeve, është i gatshëm të shqyrtojë edhe mundësinë për t’iu bashkuar rivalit të madh nga veriu i Londrës. Një lëvizje e tillë do të sillte përplasje të forta mes dy klubeve.
The Sun shkruan se Arsenali po e vlerëson mundësinë e një marrëveshjeje për Romeron. Megjithatë, Tottenhami nuk ka asnjë dëshirë që ta lejojë këtë transferim dhe është kundër kalimit të tij te rivali i përbetuar.
Për këtë arsye, largimi i mbrojtësit drejt një klubi jashtë Anglisë shihet si skenari më i mundshëm. Në garë për shërbimet e tij thuhet se janë Atletico Madridi dhe Interi.
Tottenhami synon të nisë një rindërtim të skuadrës nën drejtimin e trajnerit të ri, Roberto De Zerbi. Klubi nuk pritet ta bllokojë largimin e Romeros, por drejtuesit janë të prerë që argjentinasi të mos përfundojë në “Emirates Stadium”.
Një transferim i tillë do të sillte në vëmendje precedentit të vitit 2001, kur ish-qendërmbrojtësi Sol Campbell u largua nga Tottenhami dhe iu bashkua Arsenalit.
Campbell vazhdon të jetë lojtari i fundit që ka kaluar drejtpërdrejt nga Tottenhami te Arsenali. Për këtë arsye, tifozët e “Spurs” në “White Hart Lane” e etiketuan me nofkën “Judas”.
Ndryshe nga Romero, i cili ka kontratë me Tottenhamin deri në qershor të vitit 2029, Campbell ishte lojtar i lirë në atë kohë, pasi marrëveshja e tij me klubin kishte përfunduar. Për këtë arsye, Tottenhami nuk kishte mundësi ta ndalonte largimin e tij.
Transferimi i fundit mes këtyre dy klubeve ndodhi në vitin 2010, kur një tjetër qendërmbrojtës, William Gallas, kaloi te Tottenhami pasi i skadoi kontrata me Arsenalin.
