Volodymyr Zelensky u kërkoi aleatëve të veprojnë më shpejt për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, në një kohë kur sulmet ruse me raketa po vazhdojnë.
Të lidhura
None found
Duke folur para gazetarëve në Serbi, presidenti ukrainas deklaroi se Kievi ka kërkuar sisteme kundër raketave balistike që nga nisja e luftës. Ai shprehu mirënjohje për ndihmën e ofruar nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Polonia dhe shtete të tjera, por nënvizoi se mbështetja aktuale nuk është e mjaftueshme.
“Nuk bëhet fjalë për një copë letër që po fluturon drejt nesh… është një raketë e vërtetë që u merr jetën njerëzve”, tha Zelensky. Ai kërkoi që me sisteme të mbrojtjes ajrore të kontribuojnë jo vetëm SHBA-ja, por edhe vendet e Evropës.
Kreu i shtetit ukrainas ngriti gjithashtu shqetësimin për procedurat burokratike, të cilat, sipas tij, kanë penguar mbërritjen në kohë të pajisjeve që i duhen Ukrainës për t’u mbrojtur.
Zelensky bëri të ditur se me Donald Trump ka arritur një marrëveshje lidhur me licencat për prodhimin e interceptorëve të sistemeve Patriot. Megjithatë, ai theksoi se rezultatet do të ishin siguruar shumë më herët nëse një dakordësi e tillë do të ishte arritur në të kaluarën. “Nëse do t’i kishim marrë katër vjet më parë, sot do të prodhonim Patriotë për të gjithë”, deklaroi ai.
Gjatë së njëjtës deklaratë, Zelenskyy përsëriti thirrjen për vendosjen e sanksioneve kundër Moskës. Ai pretendoi se qindra ose mijëra pjesë përbërëse të raketave balistike ruse sigurohen nga shtete të ndryshme të botës, mes tyre edhe vende partnere të Ukrainës.
Sipas presidentit ukrainas, këta komponentë përfundojnë në armë që përdoren për të goditur objektiva brenda Ukrainës, duke shkaktuar viktima mes civilëve, fëmijëve dhe ushtarëve.
