Gjatë 12 orëve të fundit, në pikën kufitare të Morinit janë regjistruar mbi 76 mijë e 700 shtetas që kanë hyrë ose kanë dalë nga vendi.
Të lidhura
None found
Të dhënat zyrtare tregojnë se në këtë interval kohor janë shënuar 41 mijë e 183 hyrje, ndërsa numri i daljeve ka arritur në 35 mijë e 584.
Ky është fluksi më i madh i lëvizjeve i evidentuar brenda një dite gjatë këtij viti, teksa sezoni turistik ndodhet në kulmin e tij.
Drejt Shqipërisë për pushimet verore po udhëtojnë pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera të rajonit. Në shtimin e qarkullimit ka ndikuar gjithashtu ardhja e diasporës.
Megjithëse numri i udhëtarëve është i lartë, në Morinë nuk janë krijuar radhë. Pika kufitare është aktualisht në funksion me 12 sportele, ndërkohë që për shtetasit e Shqipërisë dhe të Kosovës vazhdon regjimi i lëvizjes së lirë.
Sipas pushuesve, formalitetet për kalimin e kufirit dhe drejtimi i automjeteve përgjatë rrugëve të vendit po kryhen në përputhje me standardet evropiane.
Shqipëria vijon të jetë ndër destinacionet e parapëlqyera nga turistët dhe emigrantët, jo vetëm për vijën bregdetare, por edhe për peizazhet natyrore dhe bukuritë e tjera që ofron.
