Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilët i akuzoi se janë “hajdutët më të mëdhenj” në vend.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të ndjekësve gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale, lideri i opozitës deklaroi se mazhoranca po i shfrytëzon votat e saj në Kuvend për të mbrojtur veprimtari kriminale dhe korruptive.
Të lidhura
None found
Sipas Berishës, qeveria Rama jo vetëm që po vjedh shqiptarët, por edhe po vendos veten mbi ligjin. Ai tha se 83 mandatet parlamentare janë përdorur për të mbrojtur aferat e mëdha kriminale dhe se një ekzekutiv që mbron krimin nuk ka më legjitimitet për të qeverisur.
“Kjo qeveri si asnjë qeveri tjetër ne Evropë dhe Botë faktoi se jo vetëm vjedh shqiptarët, por hajdutët e saj Rama dhe Balluku janë mbi cdo ligj në këtë vend. Ndaj dhe përdorën 83 mandatet e krimit për të mbrojtur aferat e mëdha të krimit. Një qeveri që mbron krimin humbet legjitimimin e saj. Ajo përfaqëson krimin dhe meriton të largohet sa më parë nga pushteti”, u shpreh Sali Berisha.
Një tjetër çështje e komentuar prej tij ishte drafti i ri territorial, përmes të cilit Partia Socialiste propozon shkrirjen e 15 bashkive.
Berisha tha se ky plan synon, sipas tij, shpopullimin e vendit dhe zëvendësimin e banorëve shqiptarë me qytetarë nga vendet e Azisë. Ai shtoi se propozimi ka shkaktuar reagime të forta nga banorët e bashkive që preken nga ndryshimet.
“Kjo ka sjellë një reagim të fuqishëm të banorëve, të bashkive të shkurtuara. Edi Rama me këtë centralizim prej sulltani kërkon që cdo pushtet ta ketë në pëllëmbe të dorës, kërkon të vazhdojë zbimin e shqiptarëve dhe mbushjen e Shqipërisë me qytetarë të marrë nga Azia”, deklaroi Berisha.
