Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit janë evidentuar 23 vatra zjarri. Shumica e tyre janë shuar, ndërsa dy vatra mbeten nën monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 445 forca operacionale dhe 47 automjete zjarrfikëse. Në operacione kanë marrë pjesë edhe 65 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 mjete zjarrfikëse të FA-së, 2 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Të lidhura
None found
Në Dajt, flakët janë neutralizuar, ndërsa strukturat vendore po vijojnë mbikëqyrjen e zonës. Edhe në Priskë zjarri është shuar plotësisht.
Ndërhyrja në Çikallesh dhe Leshtej-Collak, në bashkinë Kavajë, ka përfunduar pas angazhimit të forcave zjarrfikëse nga disa bashki dhe mbështetjes ajrore.
Vatra e shfaqur në Mushnik të bashkisë Rrogozhinë është shuar.
Në zonën Ndrenie–Vlosh–Panahor, në Mallakastër, vijon puna për shuarjen përfundimtare të zjarrit. Vatra mbetet aktive nën kurorë në krahun verior dhe po mbahet në monitorim.
Në Plan të Bardhë, bashkia Klos, zjarri u shua pas ndërhyrjes së 5 automjeteve zjarrfikëse dhe 26 efektivëve të MZSH-së, me mbështetjen e forcave të policisë, strukturave bashkiake, vullnetarëve, OSHE-së dhe 25 efektivëve të FA-së.
Plotësisht janë shuar edhe zjarret në Kostren 2 të bashkisë Berat dhe në Uruçaj të bashkisë Peqin. Po ashtu, strukturat operacionale kanë neutralizuar të gjitha vatrat e tjera të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Aktualisht nuk ka raportime për vatra problematike që rrezikojnë zonat e banuara. Dy vatrat e mbetura vijojnë të jenë nën monitorim.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile po ndjekin situatën dhe ruajnë gatishmërinë për ndërhyrje në rast të riaktivizimit të mundshëm të zjarreve.
