Volodymyr Zelensky zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, vend që tradicionalisht konsiderohet aleat i Rusisë. Presidenti ukrainas ka bërë të ditur se me homologun serb do të diskutojë çështje që lidhen me ekonominë dhe sigurinë.
Të lidhura
None found
Gjatë qëndrimit në Beograd, Zelensky do të zhvillojë gjithashtu bisedime me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin Djuro Macut, të cilat i cilësoi si “të rëndësishme”.
Presidenti ukrainas u prit në aeroportin e Beogradit nga ministrja e Energjisë, Dubravka Džeković Handanović. Më pas, në mbrëmje, ai darkoi me Vuçiçin.
Presidenti serb deklaroi në rrjetet sociale se beson që vizita do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Ukrainës, si dhe në thellimin e bashkëpunimit në “fushat me interes të përbashkët”.
Bisedimet zyrtare mes dy presidentëve janë planifikuar të zhvillohen sot, të shtunën, në pallatin presidencial. Në përfundim të takimit, ata pritet të bëjnë deklarata për mediat, sipas njoftimit të presidencës serbe.
Një zyrtar i lartë ukrainas, i cili të enjten foli në kushte anonimiteti, tha se synimi i Kievit është “të nxjerrë serbët nga kampi i Rusisë”. Ai e përshkroi udhëtimin e Zelensky-t në Serbi si një “shuplakë në fytyrë” për rusët.
Megjithatë, Vuçiç rikonfirmoi kursin e Beogradit. Serbia varet në masë të madhe nga Rusia për furnizimin me energji dhe nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Moskës. “Rusia e përcaktoi qëndrimin e saj katër vjet e gjysmë, pothuajse pesë vjet më parë dhe nuk e ka ndryshuar atë që atëherë”, tha ai, duke shtuar se ky pozicion “do të mbetet i njëjtë deri në njoftim të mëtejshëm”.
