Në kushtet e tensioneve në rritje mes dy vendeve të Bashkimit Evropian, Spanja ka vendosur të kontrollojë në kufi të gjithë udhëtarët që mbërrijnë nga Italia.
Të lidhura
None found
Kufizimet do të zbatohen duke nisur nga mesnata dhe do të qëndrojnë në fuqi për një muaj. Vendimi merret një javë pasi Italia aplikoi masa të ngjashme, pas hyrjes së rreth 78,000 emigrantëve nga Maroku fqinj në enklavën spanjolle të Ceutës.
Përplasja u thellua të premten, kur Madridi i kërkoi Romës që t’i hiqte kufizimet deri të dielën. Autoritetet italiane reaguan duke deklaruar se nuk do të pranonin “ultimatume”.
Italia bëri të ditur se, përkundrazi, synon t’i vazhdojë kontrollet kufitare të paktën deri më 15 gusht. Sipas saj, në atë periudhë Spanja “pret një valë të re migrimi” drejt Ceutës.
Megjithatë, autoritetet spanjolle nuk kanë paralajmëruar ndonjë valë të dytë kalimesh në kufi. Sipas El Pais, raportimet kanë marrë shkas nga aktiviteti i përdoruesve marokenë në rrjetet sociale, të cilët po planifikojnë një tjetër përpjekje.
Zyra e kryeministrit të Spanjës i konfirmoi gazetës se situata po ndiqet nga afër, por se nuk pritet të përsëriten skenat e javës së kaluar.
