Donald Trump ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme të SHBA-së, pasi një gjykatë federale apeli në Uashington ndaloi administratën e tij të vazhdojë punimet për ndërtimin e një salle të madhe vallëzimi në Shtëpinë e Bardhë.
Të lidhura
None found
Në një reagim të publikuar në platformën Truth Social, presidenti amerikan e quajti vendimin “politik” dhe njoftoi se ankimi në Gjykatën Supreme do të paraqitet menjëherë.
“Gjykata Supreme duhet ta rrëzojë plotësisht këtë vendim të padrejtë. Agjencitë ushtarake dhe ato të inteligjencës e vlerësojnë vendimin e gjykatës federale të apelit si të tmerrshëm, të motivuar politikisht dhe të paligjshëm”, shkroi Trump.
Gjykata e Apelit kishte arritur më herët në përfundimin se administrata Trump po i zhvillonte në mënyrë të paligjshme punimet për sallën e vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë.
Me një rezultat votimi 2-1, trupi gjykues i dha të drejtë Fondit Kombëtar për Ruajtjen Historike, organizatës më të madhe në SHBA që merret me mbrojtjen e trashëgimisë historike dhe që kishte kundërshtuar realizimin e projektit.
Në arsyetimin e saj, gjykata nënvizoi se presidentët amerikanë janë vetëm “banorë të përkohshëm, jo pronarë” të Shtëpisë së Bardhë dhe rezidencës presidenciale.
“Çdo president është një banor i përkohshëm, jo pronar, i Shtëpisë së Bardhë dhe rezidencës presidenciale. Presidenti nuk ka dhe as nuk pretendon të ketë autoritet të caktuar kushtetues mbi këtë pronë, e cila është projektuar dhe mirëmbajtur për përdorimin e të gjithë presidentëve, të kaluar dhe të ardhshëm, si dhe për popullin amerikan”, thuhet në vendim, sipas CNN.
Trupi gjykues vuri në dukje gjithashtu se Fondi Kombëtar për Ruajtjen Historike kishte paraqitur prova sipas të cilave Kongresi nuk i ka dhënë pushtetit ekzekutiv kompetenca të pakufizuara për të “riprojektuar, rimodeluar dhe rindërtuar në mënyrë drastike Shtëpinë e Bardhë – Shtëpinë e Popullit – për t’iu përshtatur dëshirave të një presidenti të caktuar”.
Megjithatë, vendimi nuk do të zbatohet menjëherë. Gjykata e Apelit e shtyu hyrjen e tij në fuqi për dy javë, në mënyrë që administrata Trump të ketë kohë ta ankimojë çështjen në Gjykatën Supreme të SHBA-së.
