Mes qytetarëve të diasporës që iu bashkuan sot protestës në Sheshin Skënderbej ishte edhe një emigrant shqiptar, i cili në një prononcim për News24 ngriti shqetësime për gjendjen politike dhe sociale në Shqipëri.
Ai theksoi se, falë historisë dhe bukurive të saj, Shqipëria zotëron potencial të madh, ndërsa shqiptarëve u takon një pozicion dinjitoz në familjen europiane.
Të lidhura
None found
“Unë jam emigrant. Ne meritojmë një vend në shoqërinë europiane, siç e meritojmë. Ne jemi një vend fantastik që adhurohet nga çdo i huaj”, deklaroi ai.
Duke shprehur kritika ndaj qeverisjes së tanishme, qytetari kërkoi që fondet të përdoren për zhvillimin e Shqipërisë dhe jo për përmirësimin e figurës politike.
“Sikur Rama të jepte 1 miliard euro në të gjithë botën për të pastruar emrin e tij, sikur këto para të investoheshin në vendin tonë, çdo njeri do t’ia jepte votën”, u shpreh emigranti.
Sipas tij, është për të ardhur keq që një shtet me një histori kaq të pasur përballet me probleme të rënda korrupsioni.
“Në një vend me kaq histori të bukur, kemi përfunduar në një vend shumë të korruptuar. I padituri këtu bëhet hero dhe i dituri merr rrugët”, tha ai.
Emigranti nënvizoi se shqiptarët duan një shtet të lirë, ku qytetarët të mos jetojnë nën frikë dhe ku vlerësimi të mbështetet te meritokracia.
“Ne jemi këtu për të qenë krenarë për atdheun tonë, siç ishin të parët tanë. Meritojmë një qeveri europiane, ku vlerësohet meritokracia dhe ku njeriu të ndihet i lirë, jo i frikësuar nga patronazhistët dhe shumë gjëra të tjera”, deklaroi ai.
Në përfundim, qytetari shprehu dëshirën që Shqipëria të realizojë ndryshimet që, sipas tij, i meritojnë qytetarët. Protestës së sotme iu bashkuan shumë shqiptarë që jetojnë në diasporë.
