Drunjtë e rrëzuar nga moti i keq që goditi Shkupin do të marrin një përdorim të ri, pasi një pjesë e tyre do të përdoret për krijimin e një parku motorik në Vodno. Lajmin e bëri të ditur kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Të lidhura
None found
Sipas tij, ndërhyrjet nuk synojnë vetëm pastrimin dhe riparimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia, por edhe shndërrimin e kësaj situate në një mundësi me vlerë për qytetarët. Trungjet e shëndosha do të përpunohen për të krijuar elementet natyrore të parkut, ku do të zhvillohen ekuilibri, koordinimi, shkathtësia, saktësia dhe kondicioni fizik.
Parku do t’u shërbejë fëmijëve, të rinjve dhe të rriturve, duke ofruar një hapësirë për rekreacion, ushtrime fizike dhe qëndrim shoqëror në natyrë.
Gjorgjievski bëri të ditur gjithashtu se në zonat ku janë rrëzuar drunjtë kanë nisur mbjelljet e fidanëve të rinj. Ndërkohë, në gjysmën e dytë të shtatorit pritet të zhvillohet një aksion i gjerë vjeshtor për pyllëzimin e qytetit.
Kryetari rikujtoi se në Vodno kanë nisur më herët punët për rregullimin e shtigjeve dhe rikonstruksionin e pajisjeve urbane. Ai shtoi se në Vodno dhe Matkë tashmë është aktiv Shërbimi i Shpëtimit Malor, i cili është i gatshëm të ndërhyjë në terrene dhe kushte malore.
“Vodno është zemra dhe mushkëritë e gjelbra të Shkupit. E ruajmë, e rindërtojmë dhe e përmirësojmë me përgjegjësi, me përmbajtje që do t’u shërbejnë të gjitha gjeneratave”, porositi Gjorgjievski.
