Gjykata e Apelit ka pranuar ankesën e mbrojtjes dhe ka vendosur që çështja penale ndaj Endrit Nikës të kthehet për rigjykim dhe rivendosje. Nika ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 18 vjet burgim për vrasjen e një 27-vjeçareje nga Argjentina në hotelin “Sonoma”, në Fushë Kosovë.
Të lidhura
None found
Vendimin e ka bërë publik avokati Tomë Gashi, i cili aktualisht e përfaqëson Nikën.
Sipas Gashit, Prokuroria kishte kërkuar që i akuzuari të dënohej me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Themelore kishte caktuar dënimin prej 18 vjetësh burgim.
“Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, ka deklaruar Gashi.
Avokati e ka cilësuar vendimin si të rëndësishëm për mënyrën e zhvillimit dhe trajtimit të procesit penal.
“Ky vendim është i rëndësishëm, sepse në këtë proces penal e vërteta nuk mund të ndërtohet mbi supozime, interpretime apo paragjykime”, ka shkruar ai.
Gashi ka nënvizuar se përgjegjësia penale duhet të përcaktohet duke u mbështetur në prova.
“Ajo duhet të përcaktohet vetëm mbi PROVA”, ka theksuar avokati.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, rasti do të shqyrtohet përsëri përmes procedurës së rigjykimit.
