Në miqësoren e luajtur në “Elbasan Arena”, Elbasani u mund 1-3 nga Partizani. Pas takimit, i cili shërbeu kryesisht si pjesë e përgatitjeve për sezonin, trajneri i verdhebluve, Ivan Gvozdenovic, bëri analizën e paraqitjes së ekipit.
Të lidhura
None found
Gvozdenovic deklaroi se nuk ishte i kënaqur me rezultatin dhe finalizimin, dy elemente për të cilat skuadra duhet të punojë. Megjithatë, ai vlerësoi lojën, mënyrën e vrapimit, zbatimin taktik dhe fazën sulmuese, duke theksuar se Elbasani krijoi 6 deri në 7 mundësi për gol, por nuk arriti t’i shfrytëzonte.
Trajneri shtoi se edhe Partizani pati jo pak raste. Sipas tij, Elbasani luajti sot (dje) që nga fillimi pa dy sulmuesit, Lleshin dhe Hebajn, por sërish arriti t’i afrohej portës kundërshtare dhe bëri një paraqitje të mirë. Ai pranoi se ekipit i munguan disi eksperienca dhe golat, por u shpreh se këto mangësi do të korrigjohen përmes punës.
I pyetur nëse skuadra ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit, Gvozdenovic u përgjigj pozitivisht. Ai nënvizoi se mbeti shumë i kënaqur me ritmin dhe vrapimin e ekipit sot, duke vlerësuar se gjendja fizike është përmirësuar.
