Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) ka dështuar të zhvillohet për shkak se nuk u sigurua kuorumi. Në rendin e ditës ishte planifikuar të trajtohej kërkesa e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, bashkë me njoftimet e gjyqtarëve dhe punonjësve administrativë të komunitetit serb për tërheqjen e dorëheqjeve, raporton KosovaPress.
Të lidhura
None found
Në takimin e parashikuar për sot nuk morën pjesë katër anëtarë të këshillit, ndonëse asnjëri prej tyre nuk kishte dorëzuar kërkesë për pushim.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kritikoi mungesën e anëtarëve. Ai bëri të ditur se kishte marrë me email pesë njoftime nga pesë anëtarë, përmes të cilave ishte informuar se katër prej tyre nuk do të merrnin pjesë në takim.
Sipas Thaqit, në njoftimet e tyre, në 12:09, ndër të tjera pretendohej se caktimi i mbledhjes nuk ishte në përputhje me vendimin e KGJK-së. Aty thuhej gjithashtu se këshilli ishte në pushim kolektiv, se nuk ekzistonin rrethana për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme dhe se përcaktimi i takimit duhej të koordinohej mes anëtarëve. Megjithatë, ai theksoi se këshilli nuk ka marrë asnjë vendim për pushim kolektiv.
Thaqi deklaroi se kjo situatë po shkakton vonesa në përmbushjen e përgjegjësive të KGJK-së, përfshirë përfundimin e procedurave disiplinore dhe krijimin e paneleve hetimore sipas kërkesave disiplinore.
Ai theksoi se asnjë prej anëtarëve nuk kishte paraqitur kërkesë për pushim dhe se një sjellje e tillë nuk mund të lejohej. Për pasojë, takimi nuk u mbajt, pasi mungonte kuorumi.
E njëjta çështje kishte nxitur përplasje edhe gjatë mbledhjes së fundit të KGJK-së. Ajo ishte ndërprerë pas debatit ndërmjet anëtarëve për shqyrtimin e kërkesës lidhur me tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit të komunitetit serb në veri të vendit.
