Dy shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Valon Bela dhe Bekir Halimi, janë shpallur persona të padëshiruar në Shqipëri për 10 vjet me një vendim të marrë më 17 korrik. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se masa synon mbrojtjen e interesit kombëtar.
Të lidhura
None found
Gjatë një interviste në emisionin “Tirana Live” të ABC News, Lamallari sqaroi se vendimmarrja erdhi pas informacioneve të mbledhura dhe konsultimeve të zhvilluara me agjencitë e sigurisë.
Sipas ministrit, autoritetet shqiptare nuk do të tolerojnë agjenda apo nxitje për dhunë që rrezikojnë sigurinë e vendit. Ai nënvizoi gjithashtu se Policia e Shtetit vijon angazhimin për ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë publike.
Lamallari theksoi se, ndërsa Shqipëria i afrohet gjithnjë e më shumë familjes europiane, duhet të veprojë si një vend anëtar, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë kombëtare dhe duke penguar ndërhyrjen e agjendave të dëmshme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
