Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar për zhvillimet që lidhen me projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ai pretendon se, prej muajsh, kompanisë së tij i është pamundësuar nga institucionet shqiptare hyrja në kantier për të përmbyllur punimet.
Sipas Pacollit, faza e reagimeve emocionale tashmë ka përfunduar dhe rasti do të ndiqet duke u mbështetur te faktet, dokumentacioni dhe rrugët ligjore.
Të lidhura
None found
Ai bëri të ditur se, që nga muaji mars, institucionet shtetërore janë kontaktuar çdo ditë në cilësinë e palës kontraktuese. Kompania, sipas tij, u ka kërkuar atyre të zbatojnë detyrimet e kontratës, të sigurojnë kushtet e domosdoshme dhe t’i lejojnë qasjen në kantier, në mënyrë që të kryhen punët e mbetura dhe aeroporti të vihet në funksion.
Pacolli tha se u është drejtuar edhe organeve të drejtësisë, prej të cilave ka kërkuar hetime të plota dhe të pavarura për përcaktimin e personave që, sipas tij, mbajnë përgjegjësi për situatën e krijuar.
Ai theksoi se janë shqyrtuar të gjitha mundësitë për të shmangur një proces arbitrazhi, i cili, siç paralajmëroi, do të jetë shumë i rëndë për palët.
Biznesmeni kosovar deklaroi se marrëveshja e koncesionit për Aeroportin e Vlorës është nënshkruar në pajtim me ligjet shqiptare dhe standardet ndërkombëtare. Synimi i saj, sipas tij, ishte ndërtimi, përfundimi dhe operimi i aeroportit.
Megjithatë, Pacolli tha se kontrata nuk u lejua të kalonte në fazën e operimit dhe, për pasojë, nuk e përmbushi qëllimin për të cilin ishte lidhur. Për këtë arsye, ai njoftoi se mbrojtja e të drejtave që rrjedhin prej saj do të kërkohet nëpërmjet mekanizmave gjyqësorë dhe ligjorë.
Duke akuzuar institucionet për pengimin disamujor të kompanisë, Pacolli tha se nuk mund t’i kërkohet llogari për vonesat një subjekti që është ndaluar fizikisht nga policia e shtetit të futet në kantier dhe të realizojë punën për të cilën ishte kontraktuar.
Sipas tij, aeroporti ndodhej pranë përfundimit, ndërsa për t’u kryer kishin mbetur vetëm instalimi i disa sistemeve, testet përfundimtare, pastrimi dhe përgatitjet për nisjen e operimit.
Pacolli e cilësoi këtë si projektin e parë në historinë e Mabetex që nuk është përfunduar. Ai sqaroi se shkaku nuk lidhet me mungesë aftësish teknike, financiare apo profesionale, por me faktin se kompanisë iu mohua e drejta për të vijuar punimet.
Ai kërkoi që bllokimi i kantierit dhe mosrespektimi i detyrimeve kontraktore t’i nënshtrohen një hetimi institucional dhe ligjor.
Sipas Pacollit, MABCO është detyruar të mbrohet nga përpjekjet për mashtrim, nga vendime gjyqtarësh të ndikuar që ai i cilësoi kontradiktore dhe të paligjshme, si dhe nga indiferenca ose mbështetja institucionale ndaj personave që, sipas tij, vepronin në mënyrë të jashtëligjshme dhe me vetëgjyqësi.
Ai shtoi se përfaqësuesve ligjorë dhe gjykatave kompetente do t’u dorëzohen të gjitha faktet dhe dokumentet. Pacolli shprehu bindjen se zhvillimi i një procesi të rregullt ligjor do t’i bëjë të qarta përgjegjësitë.
Në përfundim, Pacolli tha se qytetarëve të Shqipërisë u detyrohen transparencë e plotë për çdo fakt dhe dokument, përfshirë mënyrën, kohën, vendin dhe arsyet e të gjithë rrugëtimit të tyre ligjor.
