Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka mbyllur mbikëqyrjet e jashtëzakonshme inspektuese në institucionet ku pacientja S.M. ishte ekzaminuar, kishte lindur dhe kishte vijuar trajtimin.
Të lidhura
None found
Kontrollet janë zhvilluar në Spitalin e Përgjithshëm të Strumicës, Spitalin Klinik të Shtipit dhe Klinikën Universitare të Neurologjisë. Gjatë procesit është shqyrtuar evidenca shëndetësore dhe dokumentacioni mjekësor, ndërsa janë marrë edhe deklarata nga personeli shëndetësor që ka marrë pjesë në trajtimin e pacientes.
Për shkak të komplikimeve të rënda shëndetësore të 19-vjeçares, është vendosur që të kryhet edhe mbikëqyrje profesionale për të gjithë ecurinë e lindjes dhe trajtimit të saj të mëtejshëm.
Këtë komision do ta përbëjnë mjekë specialistë të neurologjisë, anesteziologjisë, gjinekologjisë, radiologjisë dhe neurokirurgjisë.
Në mënyrë që vlerësimi të jetë i plotë, i pavarur dhe objektiv, ministri i Shëndetësisë ka kërkuar përfshirjen e një eksperti mjekësor nga një shtet fqinj. Eksperti do të shqyrtojë së bashku me komisionin të gjithë dokumentacionin mjekësor të pacientes dhe do të kontribuojë në hartimin e mendimit profesional mbi procedurat diagnostikuese dhe terapeutike të kryera.
Ministria e Shëndetësisë deklaroi se, pasi të përfundojë mbikëqyrja profesionale, publiku do të informohet për gjetjet dhe përfundimet e saj.
