Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i cili duhej të shënonte nisjen e formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, ka mbetur i bllokuar. Seanca konstituive e 6 gushtit përfundoi pa zgjedhjen e strukturave drejtuese të legjislativit.
Të lidhura
None found
Pasi deputetët e rinj dhanë betimin, kryesuesi i seancës njoftoi shtyrjen e saj me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje. Arsyetimi ishte që palëve t’u jepej kohë për të arritur një marrëveshje politike me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Deri tani, negociatat nuk kanë prodhuar një rezultat konkret, ndërkohë që afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po afrohet.
Situata është bërë edhe më e ndërlikuar pas kërkesës së LDK-së për postin e presidentit të vendit, çështje kjo që mund ta vështirësojë më tej gjetjen e një kompromisi mes forcave politike.
Për zhvillimet e fundit ka folur për “Bota sot” publicisti Lis Bukuroca.
Bukuroca shprehet se kriza politike në Kosovë mund të zgjasë, ndërsa përgjegjësinë kryesore për ngërçin aktual ua atribuon partive opozitare. Sipas tij, këto subjekte nuk po e pranojnë realitetin e ri politik të krijuar pas zgjedhjeve.

Ai thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese dhe se qytetarët i kanë dhënë mandatin për të udhëhequr procesin e formimit të qeverisë. Në një demokraci që funksionon normalisht, shton ai, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk do të duhej të shndërrohej në një pengesë për krijimin e institucioneve.
“Gjendja politike në Kosovë duket se nuk do të zgjidhet së shpejti. Kriza institucionale ka gjasa të vazhdojë edhe këtë vit. Problemi kryesor, sipas meje, qëndron te partitë opozitare.
Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet dhe qytetarët i kanë dhënë mandatin për të formuar qeverinë. Në një demokraci funksionale, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit do të ishte pothuajse një procedurë formale. Mirëpo, tri partitë opozitare, të cilat deri në vitin 2020 kanë qenë pjesë e pushtetit, nuk duken të gatshme të pranojnë ndryshimin e raporteve politike”, deklaroi ai.
Publicisti argumenton gjithashtu se gjatë viteve të fundit në Kosovë është konsoliduar një model ku institucionet e drejtësisë nuk kanë vepruar gjithmonë në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor. Sipas tij, kjo ka ndikuar edhe në mënyrën se si opozita i sheh reformat e mundshme.
Bukuroca vlerëson se refuzimi i ndryshimeve të thella në sistemin e drejtësisë lidhet me interesat politike që janë krijuar ndër vite.
“Gjatë atyre viteve është ndërtuar një sistem ku gjykatat, prokuroria dhe një pjesë e drejtësisë kanë funksionuar më shumë në përputhje me interesat e elitave politike sesa me parimet e shtetit ligjor. Pikërisht për këtë arsye, ato e shohin me rezervë çdo përpjekje për reforma të thella në drejtësi”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te roli i LDK-së në bisedimet për konstituimin e Kuvendit, Bukuroca kritikoi kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku. Ai tha se deklaratat e tij për bashkëpunim nuk përputhen me veprimet që po ndërmerren në skenën politike.
Sipas tij, nëse LDK-ja do ta kishte në qendër të vëmendjes funksionimin e institucioneve, do të duhej të ndihmonte në zhbllokimin e situatës dhe jo të vendoste kushte politike.
“Lumir Abdixhiku nuk po tregohet i sinqertë në takimet politike. Ai mbeti larg rezultatit që priste në zgjedhje dhe tani përpiqet të krijojë përshtypjen e një politikani konstruktiv, të gatshëm të ndihmojë në formimin e institucioneve. Megjithatë, synimi i tij kryesor është të krijojë distancë nga partitë e tjera opozitare, pa ndryshuar në thelb qëndrimin bllokues.
Nëse LDK-ja do ta kishte prioritet funksionimin e shtetit dhe të institucioneve, do të kontribuonte në zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. E njëjta gjë vlen edhe për partitë e tjera opozitare. Fatkeqësisht, asnjëri prej tre liderëve opozitarë nuk duket se e ka interesin shtetëror mbi interesin partiak”, deklaroi ai.
Megjithëse e konsideron të zgjidhshme krizën e tanishme, publicisti paralajmëron se mungesa e vullnetit politik dhe konfliktet mes partive mund ta mbajnë atë të hapur. Ai thotë se përpjekjet për ta dobësuar pozitën e kryeministrit Albin Kurti po marrin përparësi ndaj nevojës për krijimin e institucioneve funksionale.
“Prandaj, edhe pse kjo krizë mund të zgjidhet relativisht lehtë, unë besoj se ajo do të vazhdojë. Arsyeja është se dëshira për të dobësuar ose për t’i imponuar kushte Albin Kurtit duket se është më e madhe sesa vullneti për të ndërtuar institucione funksionale dhe një shtet të së drejtës”, theksoi Bukuroca.
Në përfundim, Lis Bukuroca paralajmëron se zgjatja e ngërçit institucional do të kishte pasoja përtej përplasjeve mes partive, duke prekur funksionimin e shtetit dhe jetën e qytetarëve.
“Lufta politike mes partive nuk duhet të bëhet pengesë për funksionimin e institucioneve. Në fund, humbësi më i madh nuk është një parti politike, por vetë shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.
