Të paktën 38 pjesëtarë të ushtrisë qeveritare të Jemenit humbën jetën, ndërsa 29 të tjerë u plagosën në një seri goditjesh me raketa dhe dronë, për të cilat rebelët Huthi morën përgjegjësinë.
Të lidhura
None found
Burime mjekësore të cituara nga AFP konfirmuan bilancin prej të paktën 38 ushtarësh të vrarë dhe 29 të plagosur. Kjo është shifra më e lartë e viktimave që nga viti 2022, kur mes palëve nisi të zbatohej një armëpushim.
Sipas një zyrtari ushtarak, goditjet kishin në shënjestër një kamp në provincën Marib, në pjesën qendrore të Jemenit, si edhe pozicione të tjera në Hadramout, pranë kufirit me Arabinë Saudite.
Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Sareh, deklaroi se “forcat tona të armatosura kryen një operacion në shkallë të gjerë kundër përqendrimeve të trupave armike”. Ai i akuzoi forcat qeveritare se po shtonin praninë e tyre ushtarake.
Huthitët thonë se gjatë operacionit u vranë ose u plagosën qindra luftëtarë të mbështetur nga Arabia Saudite, ndërsa u shkatërruan kampe, depo armësh dhe automjete ushtarake. Megjithatë, këto pohime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Misioni diplomatik i SHBA-së në Jemen u shprehu ngushëllime familjeve të ushtarëve që humbën jetën dhe e përshkroi sulmin si një tjetër akt dhune të kryer nga rebelët Huthi.
Lufta në Jemen shpërtheu në vitin 2014, pasi Huthitët vunë nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana’a, dhe detyruan forcat qeveritare të tërhiqeshin. Në vijim, një koalicion ushtarak i drejtuar nga Arabia Saudite ndërhyri për të mbështetur qeverinë e njohur ndërkombëtarisht.
Pas disa vitesh me qetësi relative, luftimet ndërmjet Huthive dhe forcave që mbështeten nga Arabia Saudite janë shtuar përsëri, mes tensioneve më të gjera në rajon.
Në të njëjtën kohë, Huthitët kanë vijuar operacionet detare në Detin e Kuq. Ata pretendojnë se këto veprime janë përgjigje ndaj masave të Arabisë Saudite kundër Jemenit, akuza që Riadi i ka hedhur poshtë.
