Sipas një analize ndërkombëtare që shqyrton marrëdhënien mes të ardhurave dhe kënaqësisë me jetën, të ardhurat vjetore të nevojshme për një shqiptar për të arritur “pragun e lumturisë” llogariten në rreth 28 mijë dollarë.
Të dhënat e publikuara nga Visual Capitalist, të mbështetura në shifrat e Remitly, tregojnë se paga mesatare vjetore në Shqipëri është afërsisht 10 mijë dollarë. Në këtë nivel, një punonjës mesatar arrin të sigurojë vetëm 34.8% të shumës së vlerësuar si e nevojshme për mirëqenie, ndërsa diferenca vjetore i kalon 18 mijë dollarët.
Të lidhura
None found
Në përllogaritjen mujore, niveli i të ardhurave që lidhet me këtë prag në Shqipëri është rreth 2 mijë e 316 dollarë, ndërsa paga mesatare shkon në rreth 830 dollarë.
Ky prag nuk nënkupton të ardhurat minimale që nevojiten për të mbuluar shpenzimet bazë. Ai i referohet nivelit pas të cilit shtimi i mëtejshëm i parave nuk ndikon ndjeshëm në mënyrën se si individët e vlerësojnë jetën e tyre.
Shqipëria renditet ende mes vendeve me pagat më të ulëta në rajon.
Sipas të dhënave të INSTAT dhe Eurostat, paga mesatare bruto në Shqipëri gjatë vitit 2025 ishte rreth 10 mijë e 300 euro në vit. Në Serbi, kjo shifër arrin rreth 15 mijë e 500 euro, në Mal të Zi rreth 14 mijë e 500 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rreth 13 mijë e 200 euro.
Analiza mbështetet në studimet e Universitetit Purdue, të cilat kanë shqyrtuar lidhjen ndërmjet të ardhurave dhe mirëqenies.
Ekspertët theksojnë se niveli i lumturisë ndikohet edhe nga faktorë të tjerë përveç pagës, përfshirë shëndetin, marrëdhëniet familjare, sigurinë dhe kushtet e jetesës.
Në klasifikimin ndërkombëtar, Sllovenia ishte i vetmi vend ku paga mesatare rezultoi më e lartë se “çmimi i lumturisë”.
