Albulena Haxhiu do të mbetet ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës deri në zgjedhjen e presidentit të ri, ka konfirmuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Të lidhura
None found
Kurti u shpreh para mediave se betimi i Haxhiut si deputete e legjislaturës së re të Kuvendit nuk e pengon vazhdimin e saj në këtë funksion. Sipas tij, ky rast është i ngjashëm me pozitën që ai mban si kryeministër në detyrë dhe ushtrimi i përgjegjësive bëhet në pajtim me Kushtetutën.
“Sikurse unë në cilësinë e kryeministrit në detyrë, edhe Albulena Haxhiu, si ushtruese e detyrës së presidentes, do t’i përmbahet plotësisht dhe me përpikëri kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se Kosova aktualisht nuk ka president apo presidente të zgjedhur, por këtë detyrë po e ushtron Haxhiu.
“Nuk kemi president dhe as presidente; kemi Albulena Haxhiun si ushtruese të detyrës së presidentes dhe ajo do të vazhdojë në këtë rol, pikërisht siç përcakton Kushtetuta”, tha Kurti.
