Protestat e zhvilluara në disa bashki të qarkut të Elbasanit kundër projektit të Reformës së re Administrativo-Territoriale janë pasuar nga nisja zyrtare e konsultimeve me qytetarët.
Reagimi i parë u shfaq në Prrenjas, ku qindra banorë kundërshtuan planin për bashkimin e kësaj bashkie me Librazhdin. Më tej, protesta dhe kundërshtime u regjistruan edhe në Belsh e Cërrik, qytetarët e të cilave nuk janë dakord me përfshirjen e bashkive të tyre në Bashkinë Elbasan.
Të lidhura
None found
Ndërkohë, institucionet vendore kanë filluar procedurat për konsultimin publik, pas marrjes së dokumentacionit të Kuvendit lidhur me projektligjin e Reformës Administrativo-Territoriale.
Bashkia Cërrik ka bërë të ditur nisjen e një procesi konsultimi që do të zgjasë 60 ditë. Sipas njoftimit zyrtar, ky proces u hap pas shkresës nr. 3573, datë 31 korrik 2026, të Kuvendit të Shqipërisë, e cila është administruar nga bashkia më 3 gusht.
Kryetari i Bashkisë Cërrik u ka kërkuar banorëve të angazhohen në këtë proces, duke nënvizuar rëndësinë e informimit dhe diskutimit publik, pa e kthyer çështjen në përplasje politike.
“Ky nuk është një konsultim për fatin e një kryetari bashkie. Është një konsultim për të ardhmen e komunitetit tonë”, thuhet në mesazhin drejtuar qytetarëve.
Bashkia ka njoftuar se gjatë ditëve të ardhshme do të organizohen takime konsultuese në qytetin e Cërrikut dhe në të gjitha njësitë administrative. Datat dhe vendet ku do të zhvillohen këto takime do të publikohen në vijim.
Qarku i Elbasanit ka aktualisht shtatë bashki, ndërsa propozimi i ri parashikon që numri i tyre të ulet në katër. Sipas projektit, Prrenjasi do të bashkohet me Librazhdin, ndërsa Cërriku dhe Belshi do t’i bashkohen Bashkisë Elbasan.
