Partia Demokratike po shqyrton disa mënyra për të kundërshtuar ndarjen e re territoriale në 46 bashki, mes të cilave ankimi në Gjykatën Kushtetuese, organizimi i një referendumi dhe protestat.
Bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, bëri të ditur se rrëzimi i hartës në Kushtetuese është një nga alternativat që po vlerësohen. Në një prononcim për gazetaren e Top Channel, Elda Menga, ai argumentoi se shkeljet e pretenduara kushtetuese mund të mjaftojnë për ta kundërshtuar reformën përmes një ankimi.
Të lidhura
None found
Sipas Boçit, procesi është shoqëruar me shkelje të përsëritura të nenit 108, pika 2, të ligjit për vetëqeverisjen vendore 89/90 dhe të ligjit për konsultimet publike. Ai tha se, nëse Gjykata Kushtetuese do ta vlerësonte çështjen, procedura mund të ndiqej shpejt, pasi sipas tij janë anashkaluar të gjitha hapat e nevojshëm për realizimin e reformës.
Një tjetër mundësi që demokratët po shqyrtojnë është referendumi. Edhe pse legjislacioni shqiptar e bën të vështirë zhvillimin e tij dhe përpjekjet për një referendum janë bërë disa herë, Boçi beson se vullneti politik mund të krijojë një zgjidhje.
Ai njoftoi se demokratët do t’u kërkojnë mbështetje ndërkombëtarëve, përfshirë Kongresin dhe Bashkimin Europian, ndërsa do t’i drejtohen edhe KQZ-së për të marrë një vendim lidhur me mundësinë e zhvillimit të referendumit.
Analiza e bërë nga opozita për hartën e propozuar nga Partia Socialiste ka nxjerrë, sipas saj, llogaritje elektorale që synojnë ndryshimin e balancave politike në favor të mazhorancës.
Boçi përmendi bashkimin e Pukës me Fushë-Arrëzin, dy bashki të fituara nga PD-ja, duke theksuar se ato kanë të njëjtat të ardhura dhe se nuk është e qartë se cili parim është përdorur për këtë vendim. Ai solli gjithashtu shembullin e Librazhd-Prrenjasit, ku sipas tij PD-ja humbet një territor politik.
Sipas tij, edhe Selenica, e cila ka pasur drejtim të djathtë dhe një tendencë të tillë, përfshihet në zonën e gjerë të votave të Vlorës. Në rastin e Belshit, Boçi deklaroi se rreth 300 vota plus, që lëvizin dhe kanë lëvizur në këtë rend, ndikojnë në ndarjen politike të bashkisë, ndërsa përfshirja e saj në Elbasan është bërë vetëm për arsye elektorale.
Përmes një udhëzimi, Partia Demokratike u ka kërkuar këshilltarëve të djathtë të mbështesin protestat kundër hartës së PS-së dhe të bashkëpunojnë me këshilltarët e majtë, me synim rrëzimin e saj në çdo këshill bashkiak.
