Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar aktgjykimin AA.nr.29/2026 të Gjykatës Supreme. Ankesa u paraqit tri ditë përpara përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit dhe dy ditë para se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të vazhdojë më 6 gusht.
Të lidhura
None found
Në qendër të këtij kontesti është mandati i Nenad Rashiqit në Kuvendin e Kosovës. Lista Serbe argumenton se mekanizmi i ulëseve të rezervuara për komunitetin serb nuk ka marrë mbrojtje funksionale dhe pretendon se përfaqësuesit e këtij komuniteti duhet të përcaktohen vetëm përmes votave të qytetarëve serbë.
Sipas njoftimit të saj, iniciativa në Kushtetuese nuk synon mbrojtjen e një subjekti politik apo të një mandati të veçantë parlamentar. Lista Serbe thotë se po kërkon të mbrojë të drejtën kushtetuese të popullit serb, si dhe të komuniteteve të tjera joshumicë, për përfaqësim autentik politik, të cilin e cilëson si një prej parimeve bazë të pozitës së tyre kushtetuese në Kosovë.
Ky subjekt vlerëson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme nuk kanë trajtuar pyetjen kryesore kushtetuese. Sipas Listës Serbe, duhet sqaruar nëse qëllimi i ulëseve të rezervuara ruhet kur në zgjedhjen e përfaqësuesve serbë ndikojnë votat e qytetarëve që nuk i përkasin këtij komuniteti.
Pas zgjedhjeve të qershorit, Lista Serbe e kishte dërguar çështjen fillimisht në PZAP dhe më pas në Gjykatën Supreme. Ajo pretendonte se partia e Nenad Rashiqit, ZSPO, kishte marrë një numër të konsiderueshëm votash në komuna ku, bazuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2024, komuniteti serb pothuajse nuk ekziston. Ankesat u hodhën poshtë nga të dyja instancat.
KQZ-ja kishte konstatuar se pretendimet e paraqitura nuk krijonin bazë ligjore për ta vënë në dyshim vlefshmërinë e votave ose rezultatin e zgjedhjeve. Edhe PZAP-i e cilësoi ankesën si të pabazuar, duke sqaruar se votimi mbështetet mbi barazinë dhe fshehtësinë. Po ashtu, u theksua se lista e votuesve nuk përmban të dhëna mbi përkatësinë etnike, pikërisht për të shmangur cenimin e këtyre parimeve.
Nga 10 ulëset e rezervuara për komunitetin serb në zgjedhjet e qershorit, Lista Serbe siguroi 9, ndërsa mandati i dhjetë i takoi Nenad Rashiqit.
Nëse konstituimi i Kuvendit nuk përfundon deri më 7 gusht, procedura kushtetuese kalon në etapën e zgjedhjes së presidentit të vendit. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta përcakton një afat 60-ditor. Dështimi edhe brenda këtij afati do ta çonte Kosovën përsëri në zgjedhje të reja.
Lidhur me ankesën ka reaguar për “Bota sot” opinionisti Gani Mehmeti. Ai akuzon Listën Serbe se po e përdor në mënyrë të gabuar garancinë për mandatet e rezervuara të serbëve dhe të pakicave të tjera në Kosovë, ndërsa thotë se kjo parti nuk vepron në interes të komunitetit serb në vend.
Mehmeti i ka kërkuar Listës Serbe të tregojë se si do të sillej nëse do të votonte për të elektorati shqiptar dhe nëse në një rast të tillë do t’i pranonte votat apo do të ankohej. Sipas tij, mandatet e garantuara për serbët dhe pakicat e tjera nuk janë krijuar për të luftuar Republikën e Kosovës, por Lista Serbe po abuzon me këtë mundësi.
Ai pretendon se kjo parti, në vend që të punojë për të mirën e pakicës serbe në Kosovë, shkon në Beograd dhe, së bashku me Vuçiqin, e lufton Republikën e Kosovës me të gjitha mjetet. Mehmeti thotë se, pavarësisht se Vuçiqi nuk e njeh Kosovën, Lista Serbe duhet ta njohë atë dhe të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e saj.
Në vlerësimin e tij, vetëm duke mbështetur Pavarësinë e Kosovës, kjo parti do të fitonte të drejtën për garancinë e mandateve dhe për pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës, ashtu siç kërkohet me ligj dhe Kushtetutë. Mehmeti shton se jo vetëm Lista Serbe, por edhe shqiptarët që nuk veprojnë drejt dhe në përputhje me ligjet, duhet të mbeten jashtë.
Duke folur për mënyrën e votimit, opinionisti kujton se vota është e lirë dhe e fshehtë, ndaj çdo qytetar mund t’ia japë atë kujtdo që e konsideron të arsyeshme. Ai i përgëzon ata që mund të kenë votuar në këtë mënyrë dhe e pyet Listën Serbe pse nuk u ankua kur, sipas tij, mori më shumë të drejta sesa i takonin.
Mehmeti thotë se Lista Serbe po kundërshton faktin që shqiptarë mund të kenë votuar një parti serbe e cila mbështet Pavarësinë e Kosovës, e njeh shtetin dhe zbaton ligjet e Kushtetutën e tij. Ai i bën thirrje edhe Listës Serbe të ndjekë të njëjtën rrugë, në mënyrë që më pas diskutimi me të të zhvillohet ndryshe.
Opinionisti pyet gjithashtu pse kjo parti nuk ka kërkuar që në Kuvendin e Kosovës të ketë vetëm aq deputetë sa i takojnë dhe sa i sigurojnë votuesit e saj, por ka pranuar dhjetë vende. Sipas tij, ky numër është i lartë kur në Kosovë jetojnë vetëm rreth 50-60 mijë serbë. Ai e përmbledh qëndrimin e tij me pohimin se nuk mund të mos e njohësh Kosovën dhe njëkohësisht të kërkosh të jesh pjesë e saj.
Mehmeti thekson se asnjë dispozitë nuk përcakton se cilin kandidat ka ose nuk ka të drejtë ta votojë një qytetar. Për shkak se vota është e lirë dhe e fshehtë, zgjedhësi vendos vetë nëse dhe kujt do t’ia japë atë. Ai nuk përjashton mundësinë që, pas aktualizimit të kësaj çështjeje nga Lista Serbe, në zgjedhjet e ardhshme edhe më shumë shqiptarë të votojnë kandidatë serbë, duke shtuar se debati ua ka kujtuar dhe treguar këtë mundësi.
Sipas parashikimit të tij, për aq kohë sa mbetet nën dirigjimin e Vuçiqit, Lista Serbe nuk do të arrijë të sigurojë më shumë se 3 vende në zgjedhjet e ardhshme.
Duke iu referuar pretendimit të Listës Serbe se institucionet zgjedhore dhe gjyqësore nuk e kanë mbrojtur në mënyrë kushtetuese sistemin e vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë, Mehmeti thotë se këto institucione nuk kanë marrë përsipër t’i garantojnë asaj mbrojtje, veçanërisht kur ajo është kundër Republikës së Kosovës.
Ai shkon më tej duke deklaruar se, që nga sulmi në Banjskë, institucionet gjyqësore duhej ta kishin dënuar Listën Serbe si parti terroriste. Në lidhje me kërkesën që Kushtetuesja të sqarojë nëse mandatet e rezervuara e ruajnë qëllimin e tyre kur në zgjedhjen e përfaqësuesve serbë ndikojnë votues nga komunitete të tjera, Mehmeti thotë se Gjykata Kushtetuese duhet t’ia ndalojë Listës Serbe të drejtën e funksionimit si parti. Sipas tij, të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje duhet ta kenë vetëm subjektet që respektojnë ligjet, Kushtetutën dhe Republikën e Kosovës.
