Një prej mjeteve më të rralla luftarake gjermane të Luftës së Dytë Botërore është gjetur në detin Jon, 83 vjet pas fundosjes. Rrënoja ndodhet në 96 metra thellësi dhe është ruajtur pothuajse e paprekur.
Të lidhura
None found
Anija është identifikuar si “Leichte Schnellboot 6”, e njohur edhe si LS 6. Kjo motovedetë e lehtë siluruese e marinës gjermane ishte prodhuar prej alumini, me synimin që të kishte peshë të ulët dhe shpejtësi të lartë. Të dhënat e deritanishme tregojnë se ajo është e vetmja anije e këtij lloji e ruajtur në botë.
Gjurmimi i saj filloi në vitin 2013, pasi në arkivat ushtarake gjermane u zbuluan informacione për një mjet të Kriegsmarine-s që ishte zhdukur në shtator të vitit 1943, në hapësirën detare ndërmjet Lefkadës dhe Prevezës.
Në grumbullimin e të dhënave dhe koordinimin e kërkimeve që zgjatën për shumë vite, një kontribut vendimtar dha studiuesi historik Jorgos Karelas.
Konfirmimi i identitetit të rrënojës u bë nga ekipi AegeanTec gjatë një zhytjeje teknike, ku u përdor një sistem frymëmarrjeje me qark të mbyllur.
Në errësirën e thellësisë, zhytësit dalluan konturet e mjetit të vogël. Anija qëndron thuajse në pozicion të drejtë mbi fundin ranor dhe paraqitet në një gjendje jashtëzakonisht të mirë ruajtjeje.
Pas kapitullimit të Italisë, LS 6 ishte dislokuar në Greqi bashkë me anijen simotër LS 5, për t’u përfshirë në operacionet gjermane në Egje. Megjithatë, gjatë një sulmi ajror britanik në Igumenicë, ajo pësoi dëmtime të rënda.
Ndërsa po tërhiqej drejt Pireut për t’iu nënshtruar riparimeve, struktura e saj prej alumini u dëmtua. Uji depërtoi në brendësi të mjetit, duke shkaktuar fundosjen në zonën detare mes Lefkadës dhe Prevezës.
Identifikimi përfundimtar si LS 6 u mbështet te motorët “Junkers Jumo”, dimensionet e anijes dhe kablloja e tërheqjes, e cila vazhdon të jetë e lidhur në pjesën e përparme.
Mediat greke e kanë cilësuar gjetjen si një zbulim unik për historinë detare.
