Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër në orën 10:00 në sallën plenare, për të bërë konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë. Seanca do të zhvillohet vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues për përfundimin e këtij procesi.
Të lidhura
None found
Hapi i parë i procedurës do të jetë krijimi i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të Deputetëve. Pasi komisioni të paraqesë raportin dhe ai të miratohet, deputetët do të japin betimin, ndërsa më pas pritet të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ka bërë të ditur Vullnet Bugaqku nga KDI.
“Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të fillojë procedura për formimin e Qeverisë, ndërsa më pas nisin edhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.
Megjithatë, përveç konstituimit të legjislaturës, situata paraqet edhe një problem tjetër kushtetues që lidhet me ushtruesin e detyrës së presidentit. Bugaqku thekson se neni 90 i Kushtetutës e përcakton në mënyrë të qartë se kjo detyrë nuk mund të ushtrohet përtej gjashtë muajve.
“Ky afat përfundon më 4 tetor dhe, nëse deri atëherë nuk zgjidhet Presidenti i ri, vendi mund të përballet me një situatë të paprecedentë, pasi Kushtetuta dhe Ligji për Presidentin nuk parashohin një mekanizëm për tejkalimin e këtij kufiri kohor”, tha Vullnet Bugaqku nga KDI.
Analisti politik Artan Muhaxhiri e lidh krizën e krijuar me mungesën e vullnetit politik për të siguruar 80 votat që nevojiten për zgjedhjen e presidentit.
“Në mungesë të kompromisit politik, vendi rrezikon të mbetet i bllokuar mes afateve kushtetuese, interpretimeve juridike dhe sfidave në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa skenari më realist mbetet ai i zgjedhjeve të reja”, tha Artan Muhaxhiri, analist politik.
Legjislatura e re e Kuvendit u krijua pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
